Saturday , March 23 2019
Loading...

50 lekshin e ballokumit falna sot!

[Nga Agim Xhafka]

Unaza e Elbasanit mbushur sot me shitës ballokumesh. Jo për festën e pranverës,por për të shuar skamjen e familjeve të tyre.Rrinë ashtu në rregull,në rresht,në trotuar,si hudhrat në një varg të gjatë,shumë të gjatë,dhjetra vajza,burra,gra,pleq e plaka. Me tepsi perpara,me kurrizin nga Krasta që të mos i ftohë era dhe me sy çelur të mos u shpëtojë asnjë kalimtar.

Qyteti është  kthyer në një kombinat gjigand prodhimi. Çdo shtëpi gatuan tradicionalen. Mjell,gjalpë,sheqer,vezë dhe ja,gati për 50 lekë. Aty,mes shiut e ngricës. Asnjë oxhak fabrike a kombinati nuk nxjerr tym. Por furrat në shtëpitë elbasanase si maternitet gjigand ballokumesh.

Në do të kuptosh mjerimin provo të blesh një ballokum. Merr dhjetra urime nga shitësi a shitësja. Dhe sa ecën dy metra më tej të turret shitësi ngjitur. Do dhe ai 50 lekë.

50 lekshin e ballokumit falna sot! Kështu do e shkruante Migjeni në se do ishte gjallë e në se do jepte mësim në Elbasan. Mbushur unaza e qytetit me 302 ballakumeshitës. Plot kaq vetëm në një rrugë. Ah,se harrova. Ishin edhe 56 policë në atë rrugë. Me automatikë,maska e makina. Në roje të paqes mes klaneve të qytetit.

Thirrjet ballokume,ballokume flasin edhe për një popull dinjitoz. Se fare mirë mund të shisnin hashash e të jetonin më mirë e më ngrohtë. Por elbasanasit e varfër shesin mirësi,ëmbëlsi dhe pas cdo 50 lekshi falin mirënjohje pa fund.

Dita e verës po vjen. Dita e mirëqënies nuk duket kund.

-Hajde ballokume Elbasani…