Monday , December 11 2017

A do të rritet çmimi i energjisë elektrike këtë vit?

Të paktën deri në fund të këtij viti nuk do të ketë ndryshim të tarifave të energjisë elektrike që përdoret nga konsumatorët familjarë.

Kjo ende nuk është bërë zyrtare, por një document i paraqitur në Entin Rregullator të Energjisë nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ve në dukje se OSHEE nuk kërkon rishikim të çmimit për këtë kategori konsumatorësh. Ndërkohë, kërkohet një rishikim i tarifave sipas niveleve të tensionit.

ERE ka marrë rreth dy javë më parë një vendim, me anë të të cilit shprehet për fillimin e procedurave për përcaktimin e çmimeve të shitjes me pakicë të energjisë elektrike për klientët fundorë, që shërbehen nga furnizuesi i shërbimit universal për periudhën 1 prill 2017 deri më 31 dhjetor 2017.

Në document vihet në dukje, ndër të tjera, se “Shoqëria OSHEE sh.a., në aplikimin e saj për tarifë për vitin 2017, ka kërkuar mosndryshim të çmimeve për klientët fundorë, por rialokim të kostove për nivele tensioni. OSHEE sh.a. ka paraqitur në ERE disa vlerësime/llogaritje lidhur me të ardhurat e kërkuara për aktivitetet e shpërndarjes dhe furnizimit me pakicë për vitin 2017 si argumente për mosndryshimin e çmimeve të shitjes me pakicë te klientët tariforë”.

Pra, vetë operatori ka kërkuar nga ERE që të mos ndryshojë çmimin për konsumatorin e tensionit më të ulët, që është ai familjar. Por do të ketë ndryshim në pagesat për ata konsumatorë që përdorin nivele më të larta të tensioneve, që normalisht janë biznese.

Me një kërkesë të tillë nga ana e operatorit, mund të quhet se ERE e ka dhënë tashmë vendimin për mosndryshim të çmimit. Megjithatë, Enti do të marrë në shqyërim procesin edhe në bazë të situatës aktuale të vështirë financiare në sektorin e energjisë elektrike, ku operatorët shtetërorë ndodhen në një vorbull detyrimesh të ndërsjellta, borxhesh të mëdha në vite.

ERE kujton se më 31 janar të këtij viti, ministria e linjës i ka kërkuar që “për të përmbyllur me sukses procesin e reformimit të sektorit elektroenergjetik, është e nevojshme kryerja nga ana e ERE-s e një analize të drejtë të të ardhurave të kërkuara dhe kostove reale të operimit për secilën prej shoqërive publike, KESH, OST dhe OSHEE, me qëllim miratimin e tarifave përkatëse për vitin 2017, të cilat duhet të jenë transparente dhe të sigurojnë zhvillimin normal të aktivitetit në përputhje me kriteret që përcakton ligji dhe objektivat për qëndrueshmërinë e sistemit dhe stabilitetin financiar të sektorit”./shiptarja/

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: