Saturday , December 16 2017

A ka lidhje atentati ndaj të afërmve të Aldo Bares me krimet e bandës?

Dy viktimat e atentatit të sotëm në Lushnje, Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, janë të afërm të Aldo Bares, ish-kapo i Bandës së Lushnjes. Dy viktimat njihen edhe si shokë të ngushtë të Xhulio Shkurtit, nipit të Aldo Bares. Ndaj Latifit dhe Hoxhës u zbraz një breshëri automatiku duke u marrë jetën në vend. Shkurtit dhe dy viktimave të atentatit të sotëm iu është bërë një sulm me armë edhe në shtator të 2016-ës ku mbeti i plagosur Xhulio Shkurti dhe Sajmo Xhelili. Atentati ndaj të rinjve është bërë në të njëjtin vend ku ndodhi ngjarja sot.

Për ngjarjen e vitit 2016 ku mbetën të plagosur Shkurti dhe Xhelili nuk u arrestua asnjë person ndërsa i dyshuari kryesor nga policia ishte Laert Haxhiu 25 vjeç. Ky i fundit ka vrarë shokun e Aldo Bares, Gerti Lala i njohur me nofkën “Iriqi” në vitin 2009. Haxhiu doli nga burgu, pasi u dënua për vrasjen, në fund të 2014-ës, ndërsa u arrestua sërish në Qershor të vitit 2015 për trafik heroine gjatë operacionit të koduar “Smart”.

Vrasja e Gerti Lalës
Në momentin e arrestimit, Laert Haxhiu tentoi të arratisej me këmbë dhe u hodh nga një mur i lartë 4 metra, ku theu këmbën. Në momentin e prangosjes, ai i tha policisë se u largua pasi mendoi se ishin njerëzit e Aldo Bares që e ndiqnin dhe u frikësua. Haxhiu kishte një linjë autobusësh me Greqinë dhe dyshohet se bënte edhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Tetë muaj para arrestimit, Laert Haxhiu kishte dalë nga burgu për vrasjen e shokut të Aldo Bares, Gerti Lala me nofkën “Iriqi”.

Laert Haxhiu është shoku i ngushtë i Saimir Taullaut. Në vitin 2005, vëllai i Saimir Taullaut, Baki Taullau është ekzekutuar me armë zjarri. Familja Taullau njihet për konfliktin e hapur me bandën e Aldo Bares ku këta të fundit, sipas dëshmive të dhëna në Gjykatë, i kanë vënë gjoba. Familja Taullau ka akuzuar bandën e Lushnjes për vrasjen e Baki Taullaut në vitin 2005. Babai i Xhulios, Ramadan Shkurti u ekzekutua në vitin 1997 nga Artur Daja dhe bashkëpunëtorët e tij. Kjo vrasje nisi edhe serinë e hakmarrjeve të ish-efektivit të RENEA, Alfred Shkurti (Aldo Bare) të cilat do numërojnë disa vrasje të bujshme në Lushnje dhe jo vetëm. Atentati i fundit lë mjaft dyshime ku ndër to është edhe ai i rinisjes së hakmarrjeve mes bandave të Lushnjes.

Përplasjet e përgjakshme në 1997-1998
Në datë 21.10.1998 në fshatin Grabian të Lushnjës, pasi është dëgjuar një plasje eksplozivi, janë gjetur në vendngjarje pjesë të një trupi njerëzor të shpërndara. Ditën e vrasjes së Artur Dajës, në sheshin e qytetit të Lushnjës, pjesëtarë të grupit kriminal, të drejtuar nga Aldo Bare, kanë shëtitur nëpër shesh kokën e prerë të kufomës, Artur Daja.

Ndërmjet tyre, në ngjarjen kriminale të ekspozimit të kokës së prerë kanë qenë edhe të pandehurit Ilir Stergu, Arben Borici, Erion Cici, Arjan Alico, Enver Borici, Enver Dondollaku, shtetasi i vrarë Leonard Prifti etj. Të gjithë viktimat kanë qenë shokë, miq të shtetasit Artur Daja, i cili ishte kundërshtari i drejtuesit të organizatës kriminale të drejtuar nga Aldo Bare. Konflikti mes dy njerëzve, që do të cilësohen si “të fortët” e Lushnjës, Alfred Shkurtit dhe Artur Dajës, nisi gjatë një loje bilardoje në pranverën e vitit 1997 në një lokal të qytetit të Lushnjës. Pas debatit me fjalë, dy “të fortët” e zonës, i kishin lënë fjalët peng për t’u takuar më vonë, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Pak ditë nga zënka me fjalë në korrik të vitit 1997, Alfred Shkurti së bashku me vëllain e tij, Ramadan Shkurti dhe dy kushërinjtë Enver dhe Bardhyl Rabija, të prekur në sedër nga ofendimet e bëra në drejtim të tyre në vend publik, u nisën me një autoveturë në drejtim të lokalit ku ndodhej Artur Daja me disa pjesëtarë të tij që të “hakmerren”. Vetëm pak metra larg verandës ku ishte ulur Daja, dy vëllezërit Shkurti dhe Rabijat, filluan të qëllonin në drejtim të tyre. Shkëmbimi i zjarrit zgjati disa minuta ku mbeti i vrarë në lokal Genci Kashari shoku i Artur Dajës, dhe u plagos ky i fundit. Por “i forti” i Myzeqesë, edhe pse i plagosur, ka lëshuar një breshëri automatiku, duke lënë të vrarë vëllain e Aldo Bares, Ramadan Shkurtin dhe plagosur rëndë Bardhi Rabinë. Aldo largohet me shpejtësi në këmbë, duke marrë në shpinë kushëririn tjetër, Enver Rabinë, i cili kishte marrë një plagë në shpatull.

Ndërsa Artur Daja, kthehet tek vendi i krimit dhe vret me pistoletë në kokë të plagosurin Bardhi Rabia dhe për t’u bindur më mirë, qëllon ndaj trupit të pajetë të Ramadan Shkurtit. Kjo ngjarje do të shërbente edhe si shkak i nisjes së valës së krimeve të njëpasnjëshme, nga grupi kriminal i konfiguruar me emrin “Banda e Lushnjës”, ku udhëheqjen e saj e merr vetë Aldo Bare./Shqiptarja/

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: