Aksidenti i djeshëm në Elbasan, në gjendje të rëndë shëndetësore 20 vjeçarja

Dy aksidente me pasojë lëndimin e një shtetaseje kanë ndodhur në dy zona të qarkut Elbasan. Aksidenti i parë është shënuar rreth paradites në vendin e quajtur “Kodër Krasta”. Në aksident u përfshi një 24-vjeçar nga Tirana bashkë me miken e tij 20-vjeçare nga Elbasani, ndërsa ishin duke u ngjitur në rrugën e Krastës. 

Drejtuesi ka humbur kontrollin e për pasojë është përplasur me bordurën. Policia zyrtarisht sqaron se “specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, arrestuan në flagrancë shtetasin: E.M., 24 vjeç, banues në Yzberisht, Tiranë, pasi te parku ‘Krast’, Elbasan, duke drejtuar mjetin tip, ‘Benz’, ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka dalë nga rruga, për pasojë është dëmtuar vetë drejtuesi i mjetit dhe pasagjerja, shtetasja E.S., 20 vjeçe, banuese në Elbasan, e cila ndodhet nën kujdesin e mjekëve”.

Panorama mëson se 20-vjeçarja, Elda Samurri, ka marrë lëndime serioze dhe gjendja e saj shëndetësore paraqitet kritike, për këtë arsye u transportua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Nga ana tjetër, Policia ka nisur hetime ndaj 24- vjeçarit për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Ndërsa një aksident tjetër është regjistruar rreth orës 15:30 në aksin Librazhd–Elbasan, në vendin e quajtur Xibrakë.

Një furgon ka përfunduar në kanal, ndërsa nuk raportohet për të lënduar. Dyshohet se shkak mund të ketë qenë lagështira në rrugë dhe shpejtësia me të cilin po ecte drejtuesi i mjetit.

Nje koment

  1. Pingback: 2encountered