Friday , August 18 2017

Besimtarët e qytetit të Elbasanit mbushin sheshin “Gensher” për kryerjen e faljes së Kurban Bajramit

Dhjetra qytetarë mbushën sheshin kryesor të Elbasanit për të falur namazin e Kurban Bajramit.

Besimtarët dolën në shesh që në orët e para të mëngjesit duke dëgjuar referuesit të cilët flisnin mbi rëndësinë e kësaj feste, por edhe duke sjellë për të pranishmit fjalë nga i dërguari i Zotit Muhamedi (Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të). Gjithashtu janë kënduar edhe pjesë nga Kurani famëlartë.

 Faljen e namazit e drejtoi imami Ahmed Aturki i ardhur nga Arabia Saudite posaçërisht për këtë festë.

Pas mbarimit të faljes së namazit Myftiu i Elbasanit Agim Duka mbajti hytben, ku foli mbi rëndësinë e kësaj feste por edhe të fesë Islame në tërësi.  Ne – tha myftiu – në këtë ditë të shënuar duhet t’i lutemi Zotit që të na mëshirojë dhe të na drejtojë në rrugën e tij të drejtë. Besimi në Zot është mënyra më e mirë – theksoi ai – për t’u larguar nga veset e këqija dhe për të qenë sa më të dashur. Myftiu Agim Duka, tha se familja është e shtrenjtë prandaj duhet mbajtur e respektuar dhe pas faljes së Kurban Bajramit të shkojmë për vizitë tek prindërit, të afërmit dhe miqtë për ta bërë edhe më të gëzueshme këtë ditë. Ne – tha më tej ai – duhet t’i lutemi Zotit të na heqë mëritë dhe zemëratat. Sot është dita e sakrificës, është dita që të bëjmë kurban në emër të Zotit dhe ta ndajmë atë me të tjerët.

Pas përfundimit të namazit besimtarët e shumtë që kishin mbushur sheshin kryesor të Elbasanit kanë uruar njëri tjetrit për festën si dhe kanë përcjellë mesazhe dashurie dhe paqeje për të gjithë.

bajram-2-2016 bajram-2016 besnika-ademi-bajram

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: