Wednesday , November 13 2019
Loading...

“Buxhetimi me pjesëmarrje” në 3 lagje të Elbasanit, banorët kërkojnë investime në ….

Buxhetimi me Pjesëmarrje i cili nisi në 12 njësitë vendore të Bashkisë së Elbasanit, tashmë ka vijuar me lagjet e qytetit. Në lagjet nr1, dhe nr. 2 kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, i shoqëruar nga deputetët Evis Kushi dhe Florenc Spaho kanë dëgjuar problematikat e banorëve të cilët nga viti në vit po marrin pjesë në këtë proces të rëndësishëm, i cili konsiston në më shumë investime në qytet.

Banorët e këtyre lagjeve u ndalën kryesisht në rikonstruksionet e shkollave, vendosjen e më shumë koshave për mbetjet, në mënyrë që të rritet ndërgjegjësimi për një qytet të pastër, kënde lojërash etj.

Duke u ndalur tek shkollat edhe një herë kryetari i bashkisë ritheksoi se “ato mbeten prioritet i bashkisë së Elbasanit dhe ndërhyrjet do të jenë tërësore, model i cili është ndjekur edhe në shkollat “Ali Agjah”, “Bardhyl Popa” apo në shkollën që është në proces “Jorgji Dilo”.

Ndërsa shtoi se çdo ditë në qytet zhvillohen aktivitet apo bëhen punë në shërbim të komunitetit, duke i dhënë një zhvillim më të madh çdo lagjeje, qendër apo periferi. Ndërsa në lagjen nr. 3 ishte banorët shprehën shqetësimet e tyre sidomos për rrugën kryesore dhe kanalizimet.

Një pjesë e madhe e kësaj lagjeje është ndërtuar pas viteve ’90 si një zonë informale dhe problemet kanë qenë të mëdha. Tashmë në pjesën më të madhe të kësaj zone është zgjidhur problemi i ujit të pijshëm e po ashtu disa infrastruktura e shkollave është përmirësuar, ndërsa ende mbetet shumë për t’u bërë.

Kryetari i bashkisë duke i konsideruar të rëndësishme të gjithë problematikat e ngritura nga banorët kërkoi koncentrimin e tyre në pjesët më të rëndësishme dhe që prekin një komunitet më të madh njerëzish.

Llatja tha se buxheti i bashkisë do të përdoret me efikasitet aty ku ka nevojë komuniteti. bashkia e Elbasanit disa vite më parë ka aplikuar Buxhetimin Gjinor me Pjesëmarrje, ku ishin pikërisht gratë pjesa më e rëndësishme e vendimmarrjes./m.s/