Thursday , December 8 2016

CËRRIKU, ENDE PA VATER KULTURE

Cërriku mund të jetë ndoshta i vetmi qytet në Shqipëri që nuk ka ende një vatër të mirëfilltë kulture. Objekti i vetëm që shërbente prej dekadash për zhvillimin e aktiviteteve apo veprimtarive social-kulturore, u shkrumbua nga flakët mbrëmjen e 25 nëntorit të vitit 2012. Qysh prej atij viti ky qytet, që tashmë me ndarjen e re administrative kap shifrën e 50 mijë banorëve, nuk ka ende një vatër kulture.

Në  godinën aktuale të kinoklubit “Ptoleme Xhuvani”, ndonëse shumë e amortizuar, zhvillohen vetëm mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Madje pritet që institucioni vendor edhe këto mbledhje t’i zhvendosë drejt godinës së re të bashkisë, konkretisht në katin e tretë të saj ku është parashikuar një sallë e mirëfilltë për këto mbledhje. Sa i përket veprimtarive të tjera sociale, kulturore apo politike, qytetarët cërrikas janë ende të privuar nga ekzistenca e një godine multifunksionale.

Kinemaja e djegur e qytetit të Cërrikut tashmë prej katër vjetësh, është në pritje të restaurimit dhe për këtë Ministria e Kulturës apo edhe pushteti lokal duhet të marrin masat e nevojshme. Kjo godinë mbart një pjesë të historisë 60 vjeçare të këtij qyteti me profil industrialo-bujqësor.

Aktiviteti i fundit i zhvilluar në këtë kinoklub, është pikërisht kremtimi i 60 vjetorit të krijimit të Cërrikut, vit në të cilin u nderuan me tituj honorifik shumë figura të shquara të Cërrikut që kontribuan ndër vite për këtë qytet./F.M

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *