Sunday , August 19 2018
Loading...

Departamenti Amerikan i Shtetit nxjerr raportin mbi liritë fetare në Shqipëri

Departamenti Amerikan i Shtetit nxori të martën raportin e tij vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë. Raporti përfshin të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtete e territore dhe dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët.

Në këtë raport analizohet në kapituj të veçantë edhe liria e besimit në Shqipëri, në të cilin theksohen probleme të ngjashme me të kaluarën.

Shqipëria

Raporti bën të ditur se kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e besimit. Ajo përcakton se nuk ka një fe zyrtare, se shteti është neutral në çështjet e besimit, njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare dhe ndalon diskriminimin në baza fetare.

Në Raport mes të tjerash thuhet se qeveria, ka legalizuar 41 xhami gjatë vitit, krahasuar më 137 një vit më herët, gjashtë në vitin 2015 dhe asnjë në vitin 2014.

Grupet fetare kanë raportuar se Agjencia për Trajtimin e Pronave (ATP) nuk ka përpunuar asnjë kërkesë për kthimin e pronave të konfiskuara gjatë periudhës së komunizmit dhe ka miratuar vetëm një kërkesë për kompensim. ATP-ja tha se qindra kërkesa janë në pritje të ndryshimit të ligjit të pronës përpara se ato të zgjidhen

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i dha shtetësinë Arqipeshkopit të Kishës Autoqefale Ortodokse, Anastasios, duke thënë se “ai e kishte ripërtërirë kishën pas komunizmit”. Ndërsa vendimi i tij u mirëprit nga autoritetet greke, ai nxiti regime të përziera politike në Shqipëri

Në raport thuhet se ndërmjet muajve janar dhe maj, qeveria trajnoi 29 mësues në 15 shkolla si pjesë e një projekti provues arsimor për të ndihmuar parandalimin e radikalizmit dhe për të nxitur tolerancën fetare. Megjithatë, zbatimi i plotë i programit ngeci në muajin maj dhe e ardhmja e tij është e paqartë.

Këshilli Ndërfetar, një forum i udhëheqësve fetar të vendit për të diskutuar shqetësimet e përbashkëta, është mbledhur tre here, ndryshe nga një vit më parë kur nuk ishte mbledhur fare. Komuniteti Islamik në Shqipëri është kritikuar në mediet sociale për “një fyerje të perceptuar” ndaj (Gjergj Kastriotit) Skënderbeut, heroit kombëtar mesjetar të shqiptarëve me rastin e kremtimeve për festën e Bajramit.

Raporti flet për angazhimin e Ambasadës Amerikane për të nxitur zyrtarët qeveritarë që të zgjidhin çështjen e pronave të grupeve fetare, arsimimin e të rinjve me theks në diversitetin fetar, forcimin e grave në bashkësitë fetare, parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe programet e shkëmbimeve me theks në tolerancën fetare.

Qeveria amerikane vlerëson se nga 3 milionë banorë sa është popullsia në Shqipëri, sipas regjistrimit të vitit 2011 myslimanët sunni përbëjnë 57 % të popullsisë, katolikët 10 %, ortodoksët afro 7 %, dhe bektashinjtë 2 %. Rreth 20 % kanë refuzuar të përgjigjen rreth përkatësisë së tyre fetare. Regjistrimi i ardhshëm bëhet në vitin 2021.

Shkollat publike janë sekulare, thuhet në raport, ndërsa shkollat private mund të ofrojnë mësime fetare. Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2016, grupet fetare, organizatat dhe fondacionet kanë 125 shoqata dhe fondacione të lidhura me 116 institucione arsimore, përfshirë universitetet, shkollat fillore dhe të mesme, institucionet parashkollore, kopshtet, shkollat profesionale dhe jetimoret.

Katër bashkësitë kryesore fetare thanë se mbështetja e tërësishme qeveritare për to mbetet 109 milionë lekë (986 mijë dollarë), njësoj siç ishte edhe në vitin 2016.

Gjatë një vizite në muajin maj, raportuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për lirinë e besimit, Ahmed Shaheed, krahas vlerësimit të përpjekjeve të qeverisë për të mbrojtur liritë fetare, i bëri thirrje qeverisë që të punojë për kthimin e pronave. Ai tha atëkohë se “Shqipëria është model i harmonisë fetare”, por bëri thirrje për ruajtjen e saj.

Në muajin tetor, theksohet në raport, parlamenti miratoi ligjin e ri mbi pakicat që do të ofrojë mbrojtje shtesë për të drejtat e pakicave përfshirë edhe lirinë e besimit.