Sunday , November 17 2019
Loading...

Deputetja e Elbasanit, Elena Xhina: Ja e vërteta e largimit nga PDIU, duhet vullnet për….

Deputetja e pavarur, Elena Xhina ka komentuar aktualitetin politik në vend, duke e ndalur theksin tek kriza politike, reforma në drejtësi, nisma e mazhorancës për shkarkimin e presidentit Meta nga detyra dhe raportet e saj me PDIU. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ish-deputetja e PDIU, tanimë e pozicionuar si deputetet e pavarur, Elena Xhina zbuloi se largimi i saj nga Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet erdhi si pasojë e injorimit që iu bë asaj nga lidershipi i kësaj partie. Zonja Xhina theksoi se PDIU mbylli dyert për deputetët dhe se ajo dhe 2 kolegët e saj nuk u lejuan të kontribuojnë në këtë parti. Megjithatë, pavarësisht se tanimë ndodhet jashtë PDIU, deputetja Xhina garanton qytetarët dhe veçanërisht zgjedhësit e saj, se është në Parlament falë tyre dhe se do të jetë zëri i tyre për sa kohë do të jetë në politikë. Duke komentuar anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit nga presidenti Ilir Meta, zonja Xhina u shpreh se me këtë vendimi kreu i shtetit tejkaloi kompetencat. Sa i takon reformës në drejtësi, deputetja e pavarur shprehu bindjen se ajo është një histori suksesi dhe se me ngritjen e SPAK dhe BKH do të marrë fund pandëshkueshmëria.

-Zonja Xhina, Bashkimi Europian vendosi që të shprehet pranverën e vitit tjetër sa i takon çeljes së negociatave me Shqipërinë. Si e cilësoni këtë vendim dhe çfarë mendoni se e penalizoi Shqipërinë?

Lidhur me vendimmarrjen e Bashkimit Europian sa i takon çeljes së negociatave, padyshim që ishte një vendimmarrje zhgënjyese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por ishte e qartë së BE nuk arriti të kapërcejë divergjencat që kishte brenda vetes dhe çështja e refuzimit kësaj here nuk lidhej me ne, por me vetë problematikat e lindura brenda BE. Në këto kushte, Shqipëria u penalizua pikërisht nga këto konflikte të brendshme të BE dhe reformimit që po synojnë vendet anëtare të bëjnë lidhur me politikat e zgjerimit.

-Gjermania po lobon fort për Shqipërinë, ndërkohë që ka vënë disa kushte që duhet t’i plotësojë Shqipëria, sikundër janë bërja funksionale e Gjykatë së Lartë dhe Kushtetueses. Kur mendoni se do jenë funksionale këto gjykata?

Lidhur me kushtet e vendosura nga Gjermania mendoj se janë disa detyrime të natyrshme, normale që janë rrjedhojë e reformave dhe që janë në kohën e duhur për t’u realizuar. Përsa i përket funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dua t’ju informoj se pikërisht këtë muaj procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese po shkon drejt përmbylljes dhe me këto ritme që po ecën procesi, ne muajin dhjetor Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale. Lidhur me funksionimin e Gjykatës së Lartë, e cila në fakt është një gjykatë e krijuar, por që për shkak të vakancave të gjyqtarëve nuk funksionon, dua të sqaroj se procesi vazhdon të mbetet i hapur dhe Këshilli Emërimeve në Drejtësi vazhdon të zhvillojë procesin. Fakt është që pa filluar të bëhet funksionale Gjykata e Lartë nuk mund të krijohet Gjykata Kushtetuese, pasi Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë (neni 125 Kushtetuta). Tre anëtarë emërohen nga Presidenti, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtare zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Nga ana jonë është treguar vullnet politik dhe pa vonesa po kryhet procesi përzgjedhjes së tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj mendoj se është domosdoshmëri që të përshpejtohet procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

-Një tjetër kusht i Bundestagut është miratimi i reformës zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR. Sa e realizueshme është kjo kërkesë?

Kushtet apo rekomandimet e vendosura nga OSBE/ODHIR, lidhur me miratimin e reformës zgjedhore, janë plotësisht të realizueshme dhe kërkojnë vetëm vullnet të mirë politik. Unë personalisht mendoj se në Shqipëri nuk është problem themelor sistemi zgjedhor, por garantimi i një procesi të lirë dhe të ndershëm zgjedhor, duke mos deformuar votën e zgjedhësit. Kryetarët e partive duhet të mos bëjnë monopol listat e kandidatëve për deputet. Çdo sistem i aplikuar për mua do të ishte funksional nëse kryetarët e partive do të mbanin duart larg tij.

-Komisioni i Venecias miratoi pak ditë më parë raportin përfundimtar sa i takon procedurave për shkarkimin e presidentit. Ka shumë interpretime për këtë raport, në opinionin tuaj çfarë tha Venecia, e ka shkelur apo jo presidenti Kushtetutën?

Përsa i përket raportit përfundimtar të Venecias lidhur me procedurat për shkarkimin e presidentit, tashmë të nisura nga Kuvendi i Shqipërisë, ajo që dua të them është se nga përmbajtja e këtij raporti rezulton se, presidenti ka vepruar në tejkalim të kompetencave të dhëna nga Kushtetuta, ç’ka do të thotë që Presidenti ka shkelur Kushtetutën. Por ajo që Venecia ia lë si vendimmarrje Komisionit Hetimor, Parlamentit e më pas Gjykatës Kushtetuese është fakti nëse kjo shkelje do të konsiderohet e rëndë apo jo, pasi në referim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, presidenti mund të shkarkohet nga Kuvendi për shkelje të rënda të Kushtetutës.

-Ju prej disa kohësh jeni deputete e pavarur, ndërkohë që shihet me interes si do të veproni ju dhe a do votoni pro shkarkimit të Metës, duke qenë se në shumë raste keni bashkuar votat me mazhorancën?

Unë tashmë prej disa kohësh jam deklaruar si deputete e pavarur dhe aktualisht nuk bëj pjesë në asnjë grupim politik. Lidhur me vendimmarrjet e mia dhe votimet në seancë plenare dua të sqaroj se: Unë jam anëtare e Komisionit të Ligjeve, komision nga i cili kalon pothuajse 80% e projektligjeve që vijnë në seancë plenare. Në këto kushte, unë ashtu si dhe çdo anëtar tjetër i Kuvendit, kam mundësinë të bëj vërejtjet, sugjerimet, amendimet e mia në komision e në këto kushte kur krijoj bindjen e plotë të votoj pro këtyre projektligjeve. Nga ana tjetër, ju ftoj të shihni se si kam votuar në vazhdimësi për të krijuar ju bindjen se jo çdo votë e imja është pro mazhorancës. Le të kalojmë te procedura e shkarkimit të presidentit. Në bindjen time Dekreti i Presidentit të Republikës për anulimin e datës së zgjedhjeve është një akt i kryer në tejkalim të kompetencave që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i jep Presidentit të Republikës. Në referim të dispozitave kushtetuese, presidenti ka kompetencë të dekretojë datën e zgjedhjeve (neni 92/gj i Kushtetutës). Në kushtet kur presidenti del me një dekret anulimi të dekretit të tij të mëparshëm, rast ky i paprecedent dhe që nuk gjen mbështetje në Kushtetutë, rezulton se presidenti ka vepruar në tejkalim të kompetencave që i jep Kushtetuta dhe në referim të nenit 94 të Kushtetutës, presidenti nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera veç atyre që i jep Kushtetuta apo ndonjë ligj tjetër. Sa më sipër, presidenti ka shkelur Kushtetutën. Por nëse kjo shkelje është e rëndë apo jo, ç’ka varet nga pasojat që ajo sjell për vendin, unë duhet të pres raportin e Komisionit Hetimor dhe argumentet e ngritura prej tij, të cilat duhet të jenë vërtet bindëse dhe të provuara, me qëllim që të votoj duke formuar bindjen time personale. Por ajo që ju them me bindje është se unë do të votoj pro shkarkimit të presidentit, vetëm nëse nga Komisioni Hetimor provohet se shkelja e Kushtetutës e kryer nga presidenti klasifikohet si shkelje e rëndë.

-Ju jeni zgjedhur deputete nën siglën e PDIU, por megjithatë të tre deputetët e kësaj force politike që janë në Parlament, tanimë janë pozicionuar jashtë saj. Përse vendosët të braktisnit PDIU?

Sa i takon largimit tim nga PDIU dua të sqaroj sërish se: Unë asnjëherë nuk u largova nga PDIU. Ishte ajo që u largua nga unë. Në cilësinë e deputetes së PDIU-së vazhdimisht jam përpjekur të ofroj kontributin dhe angazhimin tim maksimal në PDIU, por për çudi dera e kësaj partie ka qenë përherë e mbyllur. Unë asnjëherë nuk i jam shmangur detyrimeve të mia që rrjedhin nga funksioni i deputetit kundrejt PDIU-së, por përkundrazi kam qenë e gatshme dhe e hapur për të qenë sa më pranë kësaj force, por siç e përmenda më sipër, kurrë se kam kuptuar arsyen pse këto përpjekje të miat nuk janë mirëpritur dhe dera e PDIU-së ka qëndruar e mbyllur.

-Pas largimit nga PDIU, kryetari i kësaj force politike, Shpëtim Idrizi hodhi akuza të ashpra në adresë tuaj dhe dy kolegëve të tu, Reme Lala dhe Dritan Bici. Keni një koment?

Sa i takon akuzave të Z. Idrizi, unë nuk marr përsipër t’i komentoj ato, por nga ana tjetër dua të them se këto akuza asnjëherë nuk më janë drejtuar mua personalisht. Është fakt se ka pasur disa largime nga radhët e PDIU dhe me vjen me të vërtet keq për këtë, por ajo që di të them është se PDIU, të paktën në qytetin e Elbasanit, ka njerëz shumë potencialë dhe i siguroj të gjithë mbështetësit e mi se unë jam përkrah tyre. Para se të jemi anëtar të një force politike ne jemi qytetarë të qytetit të Elbasanit. Lidhur me atë se çfarë shkon keq në PDIU nuk dua të komentoj, por padyshim që mendoj se anëtarësia e PDIU meriton më shumë.

-Vetingu deri më tani ka dhënë rezultate të kënaqshme, por sytë e të gjithëve janë te SPAK dhe BKH. A mendoni se ka ardhur koha për të nisur luftën ndaj pushtetarëve të korruptuar?

Tashmë SPAK dhe BKH janë çatia që i vendoset ndërtesës së reformës në drejtësi dhe janë institucione kushtetuese të një rëndësie të veçantë. Fokusi i punës së tyre është padyshim ndëshkimi i politikanëve të korruptuar. Unë jam besimplotë se këto institucione do ta realizojnë qëllimin për të cilin do të krijohen dhe pandëshkueshmëria do të marrë fund.