Monday , December 9 2019
Loading...

“Dhuro një libër, ndriço një jetë”, fushatë për të pasuruar bibliotekën e burgut të Peqinit-

“Dhuro një libër, ndriço një jetë” është një fushatë  e cila synon të grumbullojë sa më shumë libra artistikë për Bibliotekën e të dënuarve që vuajnë heqjen e lirisë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin.Gjatë një prononcimi, Manolita Hida, psikologe në këtë institucion theksoi se nisur  nga fakti se në këtë Institucion ndodhen të dënuar me dënime të gjata, titujt që janë aktualisht në Bibliotekën e këtij institucioni janë lexuar e rilexuar  nga ana asaj kategorie që ka pasion leximin e  librave artistikë , historikë  dhe jo vetëm, ndërkohë që aktualisht kërkesat janë të jashtëzakonshme.

Në pamje të parë shtimi i kërkesave për leximin e librave në një institucion të ekzekutimit të dënimeve penale duket si një realitet i pabesueshëm.Por fakt është që të dënuarit vitet e fundit po tregojnë interes në rritje për leximin e librave thekson psikologia Hida .Sipas saj , shumica prej të dënuarve  kërkojnë titujt e autorëve më të njohur të letërsisë botërore dhe asaj shqiptare. Por për fat të keq përballë kërkesave të pazakonta për leximin e librit Institucioni i Ekzekutimit të Dënimeve Penale në Peqin ndjehet i pafuqishëm për plotësimin e këtyre kërkesave që nuk ndeshen as bibliotekat universitare.

Duke tentuar të nënvizohen elementet pozitive që vijnë si rriedhoje e të lexuarit dhe arsimuarit, sikundër mund të jenë katarsis për veprat e kryera, ofrimi i një perspektive të re, rritja e nivelit kulturor, etj., do dëshironim që kjo nismë të përqafohej prej sa më shumë personave thekson psikologia Manolita Hida .

Nëse mendon se librat sjellin ndryshim në botëkuptimin e njerëzve, dhuro një libër bën thirrje psikologia.

Nëse sheh se nëpërmjet librit, mund të arratisesh nga realiteti e ta lësh shpirtin e lirë, dhuro një libër.

Nëse mendon se sjellja mund të ndryshohet nga perspektiva e të lexuarit, dhuro një libër.

Nëse ke një libër që e ke lexuar, mos e lër të myket në një raft, ofroji dikujt mundësinë për ta lexuar.

“Kush hap dyert e një shkolle, mbyll dyert e një burgu- ka thënë Viktor Hygo”.Prandaj kemi krijuar grupe të cilat po të bëjnë të mundur mbledhjen e librave me vlera për të pasuruar bibliotekën e Institucionit të Ekzekutimit të Dënimeve Penale Peqin .Psikologia Hida shpreson se kjo nismë do mbështetet nga të gjithë .Ajo bën me dije se qytetarët ose mund ti dërgojnë librat edhe me postë në adresën: I.E.V.P-Peqin

Nëse për  ju është e pamundur ta mbështesni këtë nismë duke dhuruar një libër psikologia sygjeron qytetarët që ta shpërndajnë  këtë informacion tek të tjerë persona që mund të ofrojnë libra.

Kjo nismë është lançuar prej datës 28.09.2019 dhe falë dhurimeve kemi arritur të mbledhin libra artistikë, të shkrimtarëve me emer në arenën e letërsisë botërore dhe asaj shqiptare.

Kushdo që dëshiron dhe ka mundësi të kontribuojë, është i mirëpritur.

Për të gjithë ju që jeni të interesuar, kemi mundësuar një hapsirë në Fakultetin e Shkencave Sociale, tek Sekretaria Mësimore për dhurime.

Kushdo që dëshiron të na shkruaj për dhurime na gjen në Instagram: https://instagram.com/te_degjoj_366?igshid=19pm9q20tps1p

Facebook: https://www.facebook.com/events/387496458856503/?ti=icl