Thursday , December 8 2016
1480593021parlament

Diskutohet Vetting-u, Rama: PD i trembet. Berisha: Konsensusi, kushti real për negociatat

Vetting-u u  diskutua në seancën e kësaj të enjteje në Parlament, me kryeministrin Rama që ka akuzuar opozitën për bllokim të qëllimshëm të ligjit.

“Që ju s’e doni Vetting-un, kjo nuk diskutohet, por që do të arrinit deri tek përkthyesi, kjo i ka kaluar parashikimet. Fajin e paska përkthyesi. Ju s’e ndaloni dot zbatimin e reformës në drejtësi, s’keni shanse. Thjesht do ta vononi dhe do ta paguani si frëngu pulën vonesën në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Rama.

Sipas tij, kjo që po bën opozita është anti-shqiptare dhe bëhet sepse ajo i trembet vetting-ut.

“Pa diskutim, ky është një akt anti-kombëtar i pastër. Të pëngosh zbatimin e një reforme që shqiptarët e presin prej 25 vjetësh e t’i bësh pritë një vendi duke e bllokuar çeljen e negociatave që ka vite, ky është kulmi”, ka thënë Rama.

Berisha: Vetting-u nuk është kusht, kusht është konsensusi

Duke marrë fjalën në seancë, ish-kryeministri Berisha ka komentuar vizitën e fundit të kryeministrit Rama në Gjermani dhe mesazhin e kancelares Merkel për Shqipërinë. Sipas tij, kushti i vërtetë për çeljen e negociatave të anëtarësimit nuk është vetting-u, por konsensusi politik për reformën në drejtësi, “që u varros nga Edvin Rama”.

“Zonja në Gjermani i tha se politika e brendshme, pra konsensusi, është kusht për hapjen e negociatave. Ky është shkaku themelor. Dëgjoni çfarë tha dje përfaqësuesja në PE, konsensusi. Dhe kjo ishte arsyeja kryesore përse Shqipërisë i thanë s’kemi punë me ty. Kusht tjetër është krimi. Janë jo një, por disa Ministri të Brendshme të vendeve anëtare të BE që kanë nxjerrë kartonin e kuq”, ka thënë Berisha.

Ai ka përmendur këtu edhe shtrirjen e kultivimit të kanabisit në vend, që sipas tij ka shqetësuar jashtë mase vendet anëtare të Unionit. “Një ditë para se të udhëtonte në Gjermani, televizioni kombëtar gjerman transmetonte “Shqipëria, Kolumbi në Europë”. BBC dje po ashtu, ndërsa ai thotë se asnjë zyrtar s’ma ka përmendur kanabisin”, ka thënë Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *