Sunday , December 11 2016

“Elbasan Arena”, bekimi që u kthye në mallkim.

Pak më shumë se dy vite më parë, mori jetë stadiumi më modern i ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri. Këtë fat e pati qyteti i Elbasanit, sepse qeveria në bashkëpunim me FSHF-në vendosën të investonin në restaurimin e stadiumit “Ruzhdi Bizhuta”. Së bashku me modernizimin e impiantit të ri, u “modernizua” edhe emri i tij, pasi u quajt “Elbasan Arena”. Një “fat” u trokiti në derë qytetarëve të Elbasanit, aq sa konsiderohej edhe si një “bekim”, pasi aty do luante Kombëtarja dhe skuadra e tyre e zemrës, Elbasani. Në fakt, ishte vetëm një mallkim…

Kombëtarja erdhi, luajti, madje edhe ia doli që të merrte kualifikimin historik për në Europianin “Francë 2016”. Të gjithë u gëzuan, elbasanasit më shumë se kushdo, pasi një pjesëz e historisë u shkruajt edhe në këtë qytet, ndonëse kurrë nuk e gjetën një biletë për ta parë nga afër Kombëtaren e tyre. Ndërtimi i stadiumit për të parë nga afër Kombëtaren që konsiderohej si një bekim, u kthye në mallkim, sepse vetëm për të parë nga afër kuqezinjtë nuk bëhej fjalë.

Megjithatë, qytetarët sportëdashës të Elbasanit ishin të bekuar për të parë nga afër skuadrën e tyre, Elbasanin, pasi sigurimi i një bilete nuk do të ishte më një problem. U gabuan! Jo për biletat, sepse kishte me bollëk, atyre u mungonte… skuadra. Vijon sërish mallkimi i stadiumit “Elbasan Arena”, pasi skuadra e Elbasanit nuk luan dot në stadiumin e saj, sepse fushën e kanë zënë të tjerët dhe verdheblutë janë të detyruar të degdisen gjetkë. Vitin e kaluar pothuajse ndeshjet i luajti jashtë fushës së vet.

Besimi u kthye këtë sezon dhe tifozët mendonin se kishte ardhur koha ta ndienin veten të bekuar për stadiumin që kishin, pasi do shihnin nga afër skuadrën e tyre të zemrës. Sërish u gabuan! Javë pas jave skuadra duhet të hapë “krahun” për ekipet e tjera që duhet të luajnë dhe zgjidhja është gjetur në shtyerjen e ndeshjeve për në mesjavë. Atëherë kur një pjesë e mirë e sportëdashësve janë në punë. Megjithatë, Elbasani e ndien ende veten të bekuar, për aq kohë sa fizikisht impianti “Elbasan Arena” ndodhet në territorin e këtij qyteti…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *