Monday , December 16 2019
Loading...

Elbasan, bashkia aktivitet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Drejtave të Fëmijëve

 Bashkia e Elbasanit në bashkëpunim me OJQ-të që ushtrojnë aktivitet shumëvjeçar në Elbasan organizuan një aktivitet sensibilizues në Ditën Ndërkombëtare të Drejtave të Fëmijëve.

Në aktivitetin ku në qendër ishin fëmijët, ka marrë pjesë edhe kreu i bashkisë Gledian Llatja. Duke marshuar bashkë me ta tek sheshi kryesor i qytetit, Llatja nuk ka ngurruar të shprehë emocionet që i jep prania e fëmijëve. “Mbushesh me një energji të paparë kur shikon fytyrat kaq të lumtura të fëmijëve tanë”.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Drejtave të Fëmijëve manifestuam për më shumë kënde lojërash, hapësira rekreative dhe projekte komunitare, për ta shndërruar Elbasanin në qytetin e fëmijëve, pasi janë e ardhmja e vendit”, tha Llatja.

Në bashkinë Elbasan është shumë e rëndësishme mbrojtja dhe dhënia e shërbimeve korrekte fëmijëve, si një ndër prioritetet kyçe të bashkisë. Këtë të drejtë e ka theksuar kryetari Llatja, i cili vlerësoi punën e deritanishme të kësaj bashkie.

Nadire Kreka, përgjegjëse e Sektorit të Mbrojtjes së Fëmijëve, në bashkinë Elbasan, pohoi se “pavarësisht të gjitha përpjekjeve ka pasur edhe raste kur fëmijët pas mbështetjes që i është bërë familjes, rikthehen në rrugë të detyruar nga prindërit”.

Rudina Zhugli psikologe e pranishme në këtë aktivitet ka pohuar se “fëmijët janë ajo kategori që vuajnë shumë probleme, të tilla si bullizmi që fatkeqësisht kanë marrë edhe jetë. Pikërisht kjo duhet arritur, eliminimi i këtyre rasteve dhe kjo bëhet vetëm duke u bërë të gjithë bashkë”.