Saturday , September 23 2017
Loading...

Elbasan, krijohet Aleanca e Grave Këshilltare, Popja: Një zë pa ngjyra partiake në ndihmë të grave

Këshilltaret gra e vajza në këshillin bashkiak të Elbasanit krijuan Aleancën e Grave Këshilltare, në përpjekje për të ndikuar së bashku në forcimin e politikave në dobi të grave në nevojë.

Në një frymë bashkëpunimi dhe larg konfliktit politik, që ka përfshirë muajt e fundit jetën politike në vend, 21 anëtare të këshillit bashkiak të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Frymës së Re Demokratike, zgjodhën me votim të fshehtë kryesinë e Aleancës. Kryetare e saj u zgjodh Luiza Popja, përfaqësuese e PS-së, nënkryetare Anisa Bahiti e LSI-së dhe Alketa Ipeku e PDIU.

Është UN Women, (Entiteti i Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave), i cili me mbështetjen e qeverisë suedeze, ka punuar për ngritjen e Aleancave të Grave Këshilltare gjatë vitit të shkuar në bashkitë Tiranë, Berat, Korçë, Shkodër dhe Durrës e që vijon punën e saj për plotësimin e tyre në të gjitha bashkitë.

Elbasani është një nga qytetet me nivel të lartë papunësie sidomos tek gratë, që transmetohet dhe në probleme të forta sociale. Nuk kanë qenë të pakta në këtë bashki dhe rastet e shfaqjes së dhunës në familje për shkak të kushteve të vështira financiare.

Këshilli bashkiak Elbasan ka në përbërjen e tij 43 përqind gra, ndërsa ngritja e Aleancës do të ndihmojë në advokimin më të mirë të problematikave dhe interesave të grave në këtë bashki me një zë dhe jo në mënyrë individuale.

Aleanca e Grave Këshilltare do të ndihmojë që përmes programeve dhe vendimeve në këshillin bashkiak të nxisë pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje, në politikë, por dhe në biznese që drejtohen prej grave për të zbutur sa të jetë e mundur problematikat sociale.

“Duke ngritur zërin në mënyrë individuale gratë këshilltare jo gjithmonë kanë mundur të zgjidhin probleme të grave në nevojë. Përmes Aleancës ne do të veprojmë si institucion tashmë dhe zëri ynë do të dëgjohet më shumë në këshillin bashkiak. Do të jemi një zë i vetëm, pa ngjyra partiake në ndihmë të grave”, tha kryetarja e sapozgjedhur e Aleancës së Grave Këshilltare, Luiza Popja nga PS.

“Nisur dhe nga përvoja e Aleancave të krijuar vitin e shkuar, si në Tiranë, Vlorë etj. ne do të mund të fuqizojmë punën, pa dallime partiake në promovimin tonë për t’iu dhënë zë problematikave të grave dhe vajzave të Elbasanit por dhe nxitur e krijuar politika të programeve lokale për mbështetjen e grave dhe vajzave”, u shpreh nënkryetarja e kësaj Aleance, Anisa Bahiti nga LSI.

Ndërsa nënkryetarja tjetër e kësaj Aleance, Alketa Ipeku sheh si domosdoshmëri, edhe sigurimin e një fondi finaciar për të ndihmuar gratë në nevojë por dhe për t’i mbështetur ato në vetëpunësim apo nisjen e një biznesi.

 

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: