Elbasan – Policia Rrugore, takime sensibilizuese me nxënësit e gjimnazeve, për sigurinë rrugore

“Zbatimi i rregullave të qarkullimit nga fëmijët, model për gjithë shoqërinë”, ishte në fokus të takimeve sensibilizuese të Policisë Rrugore të Elbasanit me nxënës të gjimnazeve të këtij qyteti.

“Ashtu siç mëson të luash sport apo të luash muzikë që në fëmijëri, ashtu dhe rregullat e qarkullimit duhen mësuar që në bankat e shkollës. Informimi dhe ndërgjegjësimi i fëmijëve që në moshë të vogël i shërben aftësimit të tyre për të kuptuar më mirë rreziqet kur kalojnë në rrugë”-, ishte mesazhi i përcjellë nga Policia e Elbasanit te nxënësit.

Në këtë kuadër, Shefi i Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, Kryekomisar Adriatik Hudi, përgjatë javës, së bashku me shërbimet e Policisë Rrugore kanë zhvilluar takime sensibilizuese në formën e një bashkëbisedimi me nxënësit e gjimnazeve në gjithë Qarkun Elbasan, për t’i informuar mbi rregullat e qarkullimit rrugor dhe pasojat që vijnë nga moszbatimi i tyre.

Këto takime sensibilizuese, në të njëjtën kohë janë një investim afatgjatë për fëmijët, pasi shërbejnë si bazë për të rritur vetëdijen e tyre, në mënyrë që të dallojnë rreziqet kryesore në rrugë dhe përdorimin e saj në mënyrë më të sigurt.

Nëpërmjet fëmijëve, mund të ndërgjegjësohet e gjithë shoqëria për vlerën e jetës, por edhe për të kuptuar rëndësinë e angazhimit të Policisë për një shoqëri më të sigurt.

Fëmijët, të veshur me jelekët fosforeshentë të Policisë dhe të shoqëruar edhe nga punonjësit e Policisë Rrugore dhe ata të policimit në komunitet zhvilluan në rrugë orë praktike ndërgjegjësuese për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Në këtë kuadër, fëmijët shpërndanë fletëpalosje me mesazhe sensibilizuese për drejtuesit e mjeteve. Gjithashtu, fëmijët u njohën me mjetet me të cilat punon Policia Rrugore, me rëndësinë që ka drejtimi i automjeteve me përgjegjësi dhe disa nga rregullat kryesore të qarkullimit rrugor për parandalimin e aksidenteve.