Sunday , December 11 2016

Elbasan/ Tragjedia e 2 kushurirave, e vogla dhe adoleshentja, që u mbytën sëbashku

Dy kushërirat nga Elbasani, Enderjeta Balla, 4 vjeçe, dhe Irena Hida, 18 vjeçe, do të përcillen sot për në banesën e fundit. Ato u mbytën dy ditë më parë në plazhin në afërsi të Shkëmbit të Kavajës. Vogëlushja Enderjeta Balla jetonte me prindërit e saj në lagjen “Sul Paprri” në Elbasan, ndërsa kushërira, Irena Hida, ishte me banim në lagjen “Syrja Dylgjeri” në këtë qytet. Ndërkaq mësohen edhe rrethanat se si ka ndodhur ngjarja. Dy mbesat kishin shkuar në plazh nën shoqërinë e M. Hidës, 56 vjeç, i cili ishte gjyshi i Enderjetës. Ndërsa Irena ishte vajza e vëllait të tij. Pasi i kanë kërkuar leje M. Hidës, ato kanë shkuar të lahen në det.

Por pasi kanë kaluar disa minuta, 56-vjeçari ka vendosur t`i kërkojë. Nuk ka parë gjë në det dhe ka kërkuar në zonën e plazhit përreth. Ka kërkuar për minuta të tëra në det dhe në plazh dhe kur nuk i ka gjetur. I është drejtuar për ndihmë policisë. Vogëlushja 4 vjeçe është gjetur e mbytur pranë bregut në orët e para të mbrëmjes së shtunë, ndërsa 18-vjeçarja u gjend në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Sipas ekspertëve mjekoligjorë, ato kanë vdekur nga asfiksia për shkak të ujit. Besohet se shkak i mbytjes mund të ketë qenë ndonjë dallgë uji.

Megjithatë do të jetë raporti mjeko-ligjor i ekspertëve nga Tirana që do të përcaktojë shkaqet e vdekjes së dy vajzave, ndërsa prej dy ditësh në dy familje që thuajse janë një fis, janë hapur dyert e mortit për një fatkeqësi të madhe me humbjen e dy jetëve, njëra e mitur dhe tjetra adoleshente!

Ngjarja

Një dallgëzim i lehtë, por uji i detit ishte i ngrohtë dhe i këndshëm për t’u larë. Pikërisht ky moment (mendohet rreth orës 18.30 minuta) ka qenë fatal për të dy kushërirat, që i janë drejtuar bregut të detit për t’u larë dhe nuk janë kthyer më. Sipas burimeve nga Policia e Durrësit ka qenë gjyshi i vajzës së vogël, M. Hida që ka vënë re mungesën e vajzave dhe i alarmuar ka kërkuar në breg, nga ku nuk dukeshin. Gjyshi ka pyetur dhe familjarët e tjerë, që të gjithë të traumatizuar kanë nisur të kërkojnë vajzat. Pasi nuk kanë arritur të gjejnë gjë në një kërkim rreth 1 orë, gjyshi i tyre i është drejtuar policisë së Plazhit për të kërkuar ndihmë. Burri fillimisht ka thënë në polici se vajzat kanë humbur, por pas disa pyetjeve që i ka bërë eksperti i policisë, është kujtuar se së fundi i ka parë vajzat duke shkuar në breg të detit.

Në këtë moment policia ka dhënë alarmin dhe kanë nisur kontrollet në vijën bregdetare pranë zonës ku pushonte familja, në skajin e fundit të ‘Shkëmbit të Kavajës”. Rreth orës 20.00, fare pranë bregut ka dalë fillimisht kufoma e vajzës 4 vjeçe, Enderjeta, e cila rezulton të jetë vajza e të bijës së burrit që bëri njoftimin në polici. Një pamje e tmerrshme është shfaqur te Shkëmbi i Kavajës, kur trupi pa jetë i vogëlushes ka dalë në breg.

Zhdukja e Irenës

Me sa duket tragjedia nuk do të përfundonte këtu. Pas lajmit të kobshëm për vdekjen e vajzës 4 vjeçe, një lajm tjetër më i rëndë do të vinte disa orë më pas. Nuk dihej ende fati i 18-vjeçares, Iriena Hida.

Dyshimet më të forta ishin që vajza ishte mbytur, por nuk përjashtohej dhe mundësia që vajza e traumatizuar nga mbytja e 4-vjeçares, të ishte larguar në drejtim të paditur. Skafi i policisë kufitare dhe Qendrës Ndër Operacionale kanë nisur kërkimet intensive, kur rreth orës 24.05 është gjetur dhe trupi pa jetë i 18-vjeçares. Trupi pa jetë është gjetur në të njëjtin drejtim me vendin ku u gjet 4-vjeçarja, por në një thellësi më të madhe prej rreth 10 metrash. Mendohet se për shkak të peshës, trupi është zhytur në thellësi të detit dhe më pas ka dalë në sipërfaqe. Të dy trupat e vajzave janë dërguar në morgun e qytetit të Durrësit, në një kohë që një ekspert mjeko-ligjor nga Tirana ka bërë dhe ekspertizën e kufomave. Më pas trupat pa jetë janë marrë nga familjet e vajzave që janë kthyer nga pushimet me dy vajzat e vdekura.

Hetimet

Nga hetimet e deritanishme vdekja konsiderohet aksidentale (mbytje nga pakujdesia) në një kohë që ende nuk ka një version të saktë për mënyrën se si ka ndodhur mbytja, për faktin se mungojnë dëshmitarë në vendngjarje. Ka disa versione të mundshme të aluduara, njëri prej të cilave konsiston në atë që vajzat kanë shkuar për t’u larë në breg, por 4-vjeçarja mund të ketë shkuar pak më thellë se ç`duhet dhe ka humbur në thellësi. Kjo për faktin se bregdeti i Shkëmbit të Kavajës ka një specifikë që sapo kalon 10 m, uji thellohet menjëherë në një lartësi prej 1. 3 metra dhe më pas kalohet përsëri në breg të cekët. Mendohet se në kohën që 4-vjeçarja është zhdukur në thellësi, 18-vjeçarja e traumatizuar mund të jetë futur thellë në det për ta gjetur dhe më pas është mbytur dhe ajo. Nuk përjashtohen dhe versione të tjera të tragjedisë, por asgjë nuk ka rëndësi tashmë që të dyja vajzat humbën jetën në det, në një udhëtim që duhej t`i bënte të lumtura, por që në fakt ju mori jetën dhe la në dëshpërim të thellë familjen Hida nga Elbasani./Shekulli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *