Thursday , December 8 2016
altin-hazizi

Elbasan/ Vrau me armë shokun e ngushtë, autori: Më tha ‘ou, s’ka gjë’ dhe vdiq

Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg 21-vjeçarin Altin Hazizi, i cili pak ditë më parë dyshohet se vrau nga pakujdesia shokun e tij të ngushtë. Trupi gjykues vendosi sot masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për të riun nga fshati Guri i Zi i njësisë Administrative Labinot.

Para trupi gjykues, Hazizi ka treguar se si kishte ndodhur ngjarja ku mbeti i vrarë shoku u tij Gazmend Sllami. Sipas tij, të dy të rinjtë kishin dalë për gjueti në kodrinën e fshatit të tyre, shkruan “News24”.

“Shokun e kisha pas shpinës sime, ndërsa armën e kisha në shpatull, ku tyta ishte nga ana e Gazmendit. Në një moment tentova të heq armën që e mbaja nën shpatull, dhe gishti të cilin e kisha në këmbëzën e armës pa dashje më shkrepi dhe plumbi preku shokun tim.
Në ato momente pashë shokun tim të shtrirë përtokë, i cili mundi të thoshte vetëm këto fjalë “ou, s’ka gjë”, dhe më pas pashë që ai vdiq”, rrëfen ai.

Pyetjes së trupit gjykues se pse 21-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes, ai ka deklaruar se “më pas kishte parë një grua me një fëmijë nga larg dhe se ishte trembur dhe menjëherë bashkë me armën është fshehur në një gëmushë aty afër”. Fill pas kësaj, i riu tregon se kishte shkuar në shtëpi ku ndodhej nëna e tij të cilës i kishte treguar se çfarë i kishte ndodhur dhe asaj i ka rënë të fikët.

Para trupës gjykuese i riu tregon se në gjendje të rënduar psikologjike ai kishte ndenjur në dhomën e tij, ku e kishte zënë dhe gjumi, ndërsa policia kishte ardhur me vonë e kishte arrestuar në gjumë.

21-vjeçari shfaqi shenja pendese për atë çka kishte ngjarë dhe se u kishte kërkuar sërish falje familjarëve të shokut, si edhe të familjarëve të tij për këtë tragjedi që ka shkaktuar në dy familjet. Pas kësaj, ai është larguar me pranga drejt paraburgimit./Albeu.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *