Sunday , November 17 2019
Loading...

Elbasani 24 orë furnizim me ujë/ Qytetarët, zero kosto nga buxheti i bashkisë

14 milion euro është vlera e investimit të rrjetit të kanalizimeve me qëllim që Elbasani të ketë 24 orë ujë pa ndërprerje.

Në vijim të diskutimeve kryetari i bashkisë Gledian Llatja ka pritur në një takim zv/ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Hantin Bonati, përfaqësues të drejtorisë së përgjithshme të AKUM si edhe drejtorin e AKU–së në Elbasan Luan Dervishi.

Qëllimi i këtij takimi i cili vjen pak ditë pas firmosjes së marrëveshjes për një investim të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, ishte të diskutohej rreth infrastrukturës dhe administrimit, me qëllim mirëmbajtjen e këtij investimi të madh për bashkinë e Elbasanit.

“Ky investim do të finalizojë koston e ujit në Elbasan dhe qytetarët do të kenë 0 shpenzime nga buxheti i bashkisë”,- tha kryetari i bashkisë, Gledian Llatja.

Duke e cilësuar investimin e ujësjellësit si mjaft ambicioz, i cili do të ulë ndjeshëm humbjet e ujit në rrjet, Llatja shtoi se “shpresojmë që me mbështetjen e BE- të vazhdojnë investimet në rrjetin e kanalizimeve edhe në fshatra”.

Nga ana e tij zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati, pasi vlerësoi interesimin e herë pas hershëm të kreut të bashkisë për finalizimin e kësaj marrëveshje, vlerësoi bashkinë e Elbasanit si një ndër bashkitë pilot për bashkëadministrim.

“Mbështetja e qeverisë vendore është tek ato bashki ku performanca është e mirë, me qëllim që qytetarët të marrin shërbimin që meritojnë”, tha Bonati.

Pak ditë më parë në ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve në Elbasan, kryetari i Bashkisë Gledian Llatja nënshkroi marrëveshjen në lidhje me një investim të Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve mes përfaqësuesve të KfW , BE, SECO si edhe Drejtorit të Përgjithshëm të AKUM./m.s/