Saturday , December 7 2019
Loading...

Elbasani feston 75 vjetorin e çlirimit

Përfaqësues të pushtetit lokal, deputetë të Elbasanit, familje të dëshmorëve të rënë në luftën Antifashiste Nacional Clirimtare, kanë përkujtuar sot 75 vjetorin e çlirimit të Elbasanit.

Në këtë ceremoni organizuar tek Lapidari i Dëshmorëve të Brigadës së XV Sulmuese ka qenë i pranishëm edhe Zv Kryeministri i vendit Erion Braçe i cili në urimin e tij ngriti lart vlerat e dëshmorëve të luftës nacional çlirimtare.

Edhe kreu i Bashkisë Gledian Llatja ka vlerësuar luftën antifashiste Nacional Clirimtare si dhe partizanët që dhanë jetën për çlirimin e vendit dhe të qytetit.

“ Këta dëshmorë sakrifikuan jetën e tyre për lirinë dhe demokracinë e vendit ndaj dhe  Elbasani është dhe mbetet një krahinë e rëndësishme që i ka dhënë shumë Shqipërisë vit pas viti dhe do të vazhdojë ti japë edhe në vijim dije, mirësi dhe atdhedashuri, dhe më shumë se kaq kulturë europiane.

Detyra jonë është ta bëjmë më të jetueshëm Elbasanin në çdo cep të tij, t’i shërbejmë sa më shumë këtij populli fisnik dhe artëdashës. Të japim më të mirën nga vetja që Elbasanin ta çojmë më përpara, ne kemi nderin të quhemi elbasanas, dhe sot festojmë 75 vjetorin e çlirimit tonë. Dhe uroj që ky 75 vjeetor të sjellë më shumë paqe për qytetarët elbasanas, me përulje të kujtojmë sot dëshmorët e qytetit të cilët nuk kursyen asgjë për lirinë e vendit”.

Duke u ndalur tek qyteti i Elbasanit zëvendëskryeministri Erion Braçe shtoi se “ se kjo ditë është një ngjarje që duhet kujtuar fort”, pasi sipas tij Elbasani është një gur themeli në të gjithë luftrat që shqiptarët kanë bërë për liri e pavarësi, ku shumë elbasanas kanë kontribuar për shpalljen e pavarësisë së vendit, por është edhe qyteti i parë që shpalli pavarësinë.

“ Elbasani bashkë me trevat e tij është një nga pikat kyçe të luftës nacional çlirimtare, u bë pjesë e kësaj lufte, është qyteti ku u hodhën themelet e ushtrisë nacional çlirimtare. Ndaj dhe çlirimi i një qyteti si Elbasani ishte një elementet kyç i luftës për liri të popullit shqiptar 75 vite më parë”, tha Braçe i cili ngriti lart vlerat e burave dhe grave të rinjve dhe të rejave të cilët rrëmbyen armët për çlirimin e qytetit.

/m.s/