Thursday , December 8 2016
elbasani-fiton-derbin

Futbolli në Elbasan, aty ku mëson sesi të dështosh në mënyrë spektakolare

Me të mbaruar sezoni i kaluar ku me shumë mund, fat, por edhe pa lënë mënjanë dashamirësinë e skuadrave të tjera, Elbasani ia doli që të mbijetojë në Kategorinë e Parë. Edhe pse vetëm fakti që verdheblutë nuk janë pjesë e elitës rëndon shumë, sërish mbijetesa duket sikur u mirëprit në këtë qytet, por me kushtin që sezonin pasardhës të ndërtohej një skuadër pretendente për t’u ngjitur. Ashtu ndodhi, në letër drejtuesit ndërtuan një skuadër pretendente, me afrimin e lojtarëve cilësorë të cilët do t’i mundësonin skuadrës ngjitjen në Superiore.

Po sot ku janë? Sërish të fundit dhe skuadra më e dobët e kampionatit. Humbja ndaj Tomorit i vuri “kapakun” gjithë situatës në këtë fazë të parë të kampionatit, duke nxjerrë në pah ekipin në fushë dhe jo atë të tryezave. Në fushë skuadra është “një tigër prej letre”, ndërsa në tryeza një skuadër kampione që nuk do ta diskutojë ngjitjen në Superiore. Në fushë nuk mbeti ekip pa i mundur dhe degjeneruar, ndërsa në tryeza ende besojnë se skuadra do të bëjë kthesën. Në fushë Elbasani ka shënuar vetëm tre gola, ndërsa në tryeza u premtua një “lum” golash që do të sillnin Superioren.

Elbasani ka përfunduar në një ekip ku edhe kundërshtarëve u vjen keq t’i “dërrmojnë” në gola, sulmuesit kanë harruar sesi shënohet, mbrojtja “fut ujë” nga të gjitha anët, ndërsa drejtuesve u ka dalë komplet situata jashtë kontrollit. Shpresa e vetme janë anglezët, por deri atëherë skuadra e ka marrë të tatëpjetën dhe ndoshta duhet menduar seriozisht për të shpëtuar nga rënia në Kategorinë e Dytë që do të ishte një katastrofë për këtë qytet dhe këto ngjyra. Elbasani i këtij sezoni është dështimi më spektakolar i historisë së vet, aq sa të gjithëve u vjen turp të thonë që bëjnë tifo për Elbasanin…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *