Thursday , December 8 2016
stola

Futbolli “ri-vdiq”, homazhet bëhen në “Elbasan Arena”

Një hap para dy hapa mbrapa… Për fat të keq kjo po ndodh me futbollin shqiptar, i cili të dielën në Elbasan “ri-vdiq”. Një kthim pas në kohë, si atëherë kur flitej vetëm për dhunën në tribuna, atë në fushë dhe midis lojtarëve në lojë. Të dielën në “Elbasan Arena”, ajo që duhet të ishte një vitrinë e futbollit shqiptar për shkak se përballeshin dy skuadrat pretendente për titullin kampion, si Partizani me Skënderbeun, u kthye në turpin e futbollit shqiptar. Tifozë që dhunohen, femra që u bie të fikët, policë që humbin toruan dhe kontestime pa fund, në një ndeshje që pati vetëm humbës.

Futbolli “ri-vdiq”, edhe pse shumë herë janë munduar ta “shpëtojnë” duke trumbetuar se Shqipëria ka bërë hapa para, me ndërtime stadiumesh modernë, infrastrukturë moderne, klube modernë. Një hap para për këto, por dy hapa mbrapa me mënyrën “moderne” sesi mund të largosh tifozët nga shkallët e stadiumeve, t’i dhunosh pse përkrahin skuadrën e tyre. Stadiumi nuk është bibliotekë, teatër apo sallë konference, por një arenë e cila merr vlera kur gumëzhin. Çdo fyerje, shashkë apo flakadanë, nuk mund të kompensohet me shkop gome apo gaz lotsjellës.

Futbolli “ri-vdiq”, sepse nuk është hera e parë që ka “vdekur” në Shqipëri. Kësaj here do të jetë shumë e vështirë të “ringjallet”, sepse dha shpirt në tempullin e stadiumeve shqiptare, në “Elbasan Arena”. Në atë stadium që çoi kombëtaren në Francë, që na bëri të rrimë me kokën lart kur vinin kundërshtarët dhe, që tregoi se Shqipëria mund të bëhet. Një hap para, por dy hapa mbrapa për aq kohë sa me atë që ndodhi gjithnjë e më pak do të shkelin tifozët në stadium, aty ku nuk ke të garantuar as jetën. Futbolli “ri-vdiq”, homazhet bëhen në “Elbasan Arena”…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *