Guvernatori i Bankës së Shqipërisë kriza politike ka ndikim negativ në ekonomi - ElbasaniPlus
Monday , May 29 2017

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë kriza politike ka ndikim negativ në ekonomi

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genti Sejko ka thënë se nëse kriza politike vijon më tej do të ketë ndikim negativ tek investimet në ekonomi dhe tek besimi i investitorëve.

Sejko tha se nga monitorimi i deritanishëm është parë që kriza nuk ka pasur ndikim tek treguesit makroekonomik të tremujorit të parë 2017. Ai tha se nuk janë vërejtur devijime nga parashikimet, por nëse kriza zgjat ndikimet janë të paevitueshme, tha Guvernatori pas një raportimit që bëri në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.

Sejko raportoi në Komisionin Parlamentar se viti 2016 u karakterizua nga zhvillime ekonomike pozitive dhe nga përmirësime në disa nga balancat kryesore makroekonomike. Sipas institutit të Statistikave (INSTAT), ekonomia shqiptare u rrit me 3.5% gjatë vitit 2016, në përshpejtim krahasuar me normën 2.6% të rritjes së shënuar në vitin 2015.

Rritja e ekonomisë buroi kryesisht nga kërkesa e brendshme, investimet dhe konsumi privat, dhe gjeti pasqyrim, në masën më të madhe, në zgjerimin e aktivitetit të sektorëve të shërbimeve e të ndërtimit. Paralelisht me të, norma e papunësisë u reduktua në 14.2%, e ndikuar nga rritja e vazhduar e punësimit, ndërsa besimi i agjentëve ekonomikë regjistroi nivelin më të lartë në pesë vitet e fundit. Po ashtu, borxhi publik shënoi një kthesë drejt rënies, për herë të parë pas 6 vitesh. Së fundi, inflacioni erdhi në rritje, pas nivele të ulëta të regjistruara në muajt e parë të vitit. Ai shënoi normën 2.2% në muajin dhjetor dhe publikimet e iNSTAT për muajt e parë të vitit 2017 tregojnë një rritje të mëtejshme të tij.

Për vitin 2017, ne presim forcimin e këtyre tendencave. Kthimi i ekonomisë në potencial pritet të shoqërohet me forcimin e presioneve inflacioniste dhe me kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2018.

Me gjithë tendencat pozitive, mjedisi ekonomik e financiar ka qenë sfidues për politikën monetare. Në fillim të vitit, ne u përballëm me një rënie të shpejtë e të fortë të inflacionit, si pasojë e goditjeve akute dizinflacioniste nga ambienti i huaj. Rreziqet e kahut të poshtëm u intensifikuan. Gjithashtu, ngjarje të pazakonta, si Brexit apo tensionet gjeo-politike në ambientin e jashtëm, sollën rritje të pasigurisë, raportoi Guvernatori Sejko.

Kuadri operacional i politikës monetare nuk pësoi ndryshime të rëndësishme dhe furnizimi me likuiditet i sistemit bankar është kryer nëpërmjet instrumenteve tradicionalë të politikës monetare.

Këto të fundit janë përshtatur për të plotësuar më mirë nevojat e sistemit bankar për likuiditet.

Në vlerësimin tonë, politika monetare lehtësuese ka kontribuar në forcimin e rritjes ekonomike dhe në krijimin e kushteve të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, nëpërmjet një sërë kanalesh.

Së pari, politika monetare lehtësuese ka kontribuar në reduktimin e normave të interesit në të gjitha produktet e tregut financiar. Përcjellja e stimulit monetar në tregjet financiare vlerësohet të ketë qenë e plotë. Normat mesatare të interesit të kredive, të depozitave dhe të bonove 12-mujore të thesarit, ishin respektivisht 0.8, 0.5, dhe 1.5 pikë përqindjeje më të ulëta së një vit më parë.

Së dyti, reduktimi i kostove të financimit ka ndihmuar zgjerimin e kredisë. Portofoli i kredisë në lekë për sektorin privat u rrit me 10.2% gjatë vitit 2016, ndërkohë që kredia totale shënoi një rritje prej 3.2%. Rritja e kreditimit në lekë është një zhvillim i mirëpritur, pasi zgjeron fushën e veprimit të politikës monetare dhe i shërben forcimit të stabilitetit financiar, nëpërmjet reduktimit të ekspozimit të agjentëve ekonomikë ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.

Pavarësisht këtij zhvillimi pozitiv, rikuperimi i kreditimit mbetet i ngadaltë, i penguar nga kërkesa e pakët cilësore dhe nga politikat konservatore të bankave në kredi-dhënie. Për vitin 2017, ne presim një kreditim më të mirë të ekonomisë.

Zgjerimi i kërkesës private pritet të absorbojë likuiditet e tepërta të bizneseve, duke rritur incentivat për të kërkuar kredi. Po ashtu, oferta e kredisë pritet të rritet, në linjë me uljen e pasigurive dhe në reflektim të zbatimit të planit të masave për reduktimin e kredive me probleme dhe të planit të masave për Rritjen e Shëndetshme të Kreditimit.

Së treti, nivelet e ulëta të normave të interesit kanë ndihmuar reduktimin e kostove të shërbimit të kredive ekzistuese dhe uljen e kostove të ri-financimit të tyre. Kjo ka lehtësuar aktivitetin e bizneseve dhe të familjeve kredi-marrëse.

Së katërti, normat e ulëta të interesit kanë mbështetur rritjen e konsumit dhe të investimeve private në ekonomi, nëpërmjet inkurajimit të një sjellje të orientuar më tepër drejt konsumit e investimit, dhe më pak drejt kursimit.

Modelet tona ekonometrike vlerësojnë se, në mungesë të efekteve të politikës monetare, rritja ekonomike dhe inflacioni për vitin 2016 do të kishin qenë përkatësisht 0.5 dhe 0.4 pikë përqindjeje më të ulët se vlerat faktike.

 

Banka e Shqipërisë është e pavarur në hartimin dhe zbatimin e politikës monetare. Megjithatë, ajo është e ndërgjegjshme për ndikimin e ndërsjellë që kanë politika monetare dhe ajo fiskale në përmbushjen e objektivave respektivë. Rrjedhimisht, për të krijuar kombinimin e duhur të politikave makroekonomike, ne kujdesemi vazhdimisht për të koordinuar qëndrimin e politikës monetare me atë të politikës fiskale, ashtu sikundër ky i fundit detajohet në Buxhetet e viteve kalendarikë dhe në Projekt-Buxhetet afatmesme. Ashtu sikurse jam shprehur edhe më parë, përfshirja gjatë vitit 2016 e klauzolave specifike për garantimin e qëndrueshmërisë fiskale në Ligjin Organik të Buxhetit, krijoi baza më solide për bashkërendimin më të mirë të dy politikave makroekonomike, pasi ndihmon në rritjen e disiplinimit dhe parashikueshmërisë së politikës fiskale.

 

Duke u ndalur te kjo e fundit, Banka e Shqipërisë konstaton se politika fiskale ka ndjekur një kurs konsolidues gjatë vitit 2016, të reflektuar në reduktimin e deficitit dhe të borxhit publik. Megjithëse ka injektuar një stimul të dobët në ekonomi, politika fiskale konsoliduese ka lehtësuar përcjelljen e politikës lehtësuese monetare, duke ulur primet e rrezikut në ekonomi, duke favorizuar uljen e kostove të financimit, dhe duke rritur hapësirat për kreditimin e sektorit privat. Sipas raportimeve të Ministrisë së Financave, për herë të parë pas 6 vjetësh, është arritur reduktimi i borxhit publik, nga niveli 72.7% i PBB-së në vitin 2015 në nivelin 71% në vitin 2016.

 

Banka e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet e bindur se përpjekjet për reduktimin e borxhit publik duhet të vazhdojnë dhe më tej.

Funksionimi i mekanizmit të transmetimit të politikës monetare dhe faktorët që e ndihmojnë apo e pengojnë atë, janë pjesë e pandashme e punës së Bankës së Shqipërisë. Punimet kërkimore gjatë vitit 2016, kanë synuar të vlerësojnë aftësinë e instrumenteve të përdorur për gjenerimin e projeksioneve ekonomike në Bankë, si dhe të kuptuarit e funksionimit të transmisionit monetar përballë sfidave aktuale në sistemin financiar. Në këtë kontekst, dëshiroj të theksoj se Banka e Shqipërisë ka identifikuar dy pengesa kryesore në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, zgjidhja e të cilave kërkon bashkëpunim më të gjerë.

Pengesa e parë lidhet me nivelin e lartë të kredive me probleme. Për të ulur këtë rrezik është ndërtuar plani kombëtar i veprimit për uljen e kredive me probleme, i cili është në zbatim.

Pengesa e dytë lidhet me nivelin e lartë të përdorimit të monedhës euro në ekonomi, çka krijon rreziqe potenciale ne sistemin financiar dhe vështirëson përcjelljen e politikës monetare. Hartimi i një plani për uljen e euroizimit është angazhim i përbashkët i disa autoriteteve, dhe Banka e Shqipërisë është në procesin e identifikimit të masave që mund të ndërmerren prej saj në këtë drejtim.

Në një mjedis ekonomik e financiar kompleks e sfidues, koordinimi i politikës monetare, mikro dhe makro-prudenciale merr një rëndësi primare në promovimin e stabilitetit monetar e financiar. Gjatë vitit 2016, institucioni që unë drejtoj ka punuar me të njëjtin intensitet në të tre drejtimet, duke synuar kalibrimin optimal të tyre . Në vijim, unë do të përmbledh punën e bërë për ruajtjen e promovimin e stabilitetit financiar.

Në përputhje me mandatin dhe detyrat e saj institucionale, Banka e Shqipërisë është bashkëpërgjegjëse për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit. Ajo komunikon rregullisht vlerësimin e saj për stabilitetin financiar, si dhe bashkërendon politikat e saj me institucionet e tjera, nëpërmjet Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Në drejtim të stabilitetit financiar, gjatë vitit 2016, ka vijuar puna për hartimin e një kuadri të plotë të politikës makroprudenciale dhe për ndërtimin e instrumenteve makro-prudencialë. Ky kuadër mbështetet në rekomandimet e Bordit Evropian të Rrezikut Sistemik dhe në standardet e Bordit të Stabilitetit Financiar.

Gjithashtu, në përputhje me mandatin dhe detyrat e saj institucionale, Banka e Shqipërisë është e ngarkuar me ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit bankar dhe adresimin e rreziqeve të mundshme që prekin atë.

Treguesit kryesorë financiarë të shëndetit të sektorit bankar – ata të kapitalizimit, të likuiditetit dhe të përfitueshmërisë – evidentojnë kapacitetin e tij të plotë për të përballuar rreziqet e veprimtarisë në kushte normale, si edhe për të treguar një rezistencë të mirë ndaj goditjeve.

Pesha e aktiveve të sektorit bankar ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto arriti në 95.8% në fund të vitit 2016, duke u rritur me rreth 4.5 pikë përqindje në krahasim me një vit më parë. Kredia dhe depozitat u rritën, përkatësisht me 2.5% dhe 5.2%. Në terma të kapitalizimit, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit qëndron ndjeshëm mbi nivelin rregullator. Ai shënoi 15.7% në vitin 2016 përkundrejt normës rregullatore 12%. Kapitalizimi i mirë mbetet një karakteristikë e sektorit bankar dhe ruajtja e tij në nivele të larta është mbështetur nga ruajtja e vlerave pozitive të rezultatit financiar neto. Megjithatë, rezultati financiar i sistemit pësoi një rënie të lehtë gjatë vitit 2016, kryesisht në reflektim të rritjes së shpenzimeve për fonde rezervë (provigjione) ndaj rrezikut te kreditit. Kjo rritje ka ardhur si pasojë e qendrimit konservativ të Bankës së Shqipërisë që ka kërkuar nga bankat të kryejnë riklasifikimet si kredi me probleme të disa kredimarrësve të mëdhenj në vështirësi financiare apo në situata falimenti. Kthimi nga aktivet e sistemit (RoA) ra në 0.7% nga 1.2% një vit më parë, ndërsa kthimi nga kapitali (RoE) ra në 7.2% nga 13.2%.

Në terma të rreziqeve, Banka e Shqipërisë vlerëson se ekspozimi i sistemit bankar ndaj rrezikut të likuiditetit dhe atij të luhatjeve të tregut është brenda parametrave të pranueshme, por administrimi i këtij rreziku kërkon vëmendje të vazhdueshme nga industria bankare. Ndërkohë, rreziku kryesor ndaj të cilit ekspozohen sektori bankar vijon të mbetet ai i kredisë. Ky rrezik bëhet edhe më prezent, si pasojë e persistencës së tij dhe problematikës së vazhdueshme që hasin bankat në procesin e marrjes dhe ekzekutimit të kolateralit. Në vijim të rritjes së nivelit të kredive me probleme në pjesën e parë të vitit dhe rënies së treguesit në pjesën e dytë të tij, raporti i kredive me probleme ndaj kredive në total zbriti ne 18.2% në fund te 2016, duke qenë në të njëjtin nivel me atë të një viti më parë.

 

Për këtë arsye, reduktimi i kredive me probleme dhe krijimi i stimujve për nxitjen e kreditimit të shëndetshëm ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e punës sonë.

 

Banka e Shqipërisë ka punuar në disa drejtime për adresimin e këtij problemi. Së pari, vlerësimi i rrezikut të kredisë dhe rikuperimi i kredive me probleme kanë qenë nën monitorim intensiv gjatë ekzaminimeve në vend. Paralelisht me to, ne kemi ruajtur një qëndrim të kujdesshëm në vlerësimin e politikave dhe praktikave të kredi-dhënies nga ana e bankave. Së dyti, Banka e Shqipërisë ka përmbushur angazhimet e saj brenda Planit Kombëtar për uljen e kredisë me probleme.

Në përputhje me to, Banka e Shqipërisë bëri ndryshime rregullatore lidhur me qartësimin e konceptit të fshirjes së kredive me probleme, si dhe lidhur me administrimin e pronave të rikuperuara nga ekzekutimi i kolateraleve. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka bashkëpunuar me FMN-në për rishikimin e kuadrit rregullator për licencimin e shoqërive që blejnë borxhet e këqija. Së treti, kemi forcuar kërkesat rregullatore dhe raportuese për bankat në drejtim të mirë-administrimit të rrezikut të kredisë në përputhje me praktikat evropiane. Së katërti, ne kemi intensifikuar komunikimet me bankat për të trajtuar çështjen e cilësisë së portofolit, si në drejtim të trajtimit të kredi-marrësve me probleme ashtu edhe të fshirjes të kredive të kategorizuara të humbura. Së pesti, roli koordinues i Bankës se Shqipërisë ka dhënë rezultate në ristrukturimin e kredive me ekspozim në më shumë se një bankë dhe do të vazhdojë edhe këtë vit me hartimin e një platforme bashkëpunimi midis bankave për dhënien e zgjidhjes për kredimarrësit e përbashkët, të cilën BSH është duke e hartuar në bashkëpunim me projektin FinSAC të Bankës Botërore.

Në gjykimin tonë, hapat e ndërmarra për zgjidhjen e kredive me probleme do të kontribuojnë në krijimin e një terreni të frytshëm për nxitjen e kreditimit të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm. Ky është një prioritet madhor, i cili kërkon një matricë shumëdimensionale veprimi dhe një bashkëveprim të gjerë midis autoriteteve shtetërore dhe sistemit bankar.

 

Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë hartoi dhe nxiti nënshkrimin e një Memorandumi të Përbashkët për Rritjen e Shëndetshme të Kreditimit në Shqipëri.¹

Në procesin e saj mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë ka mbështetur ndjekjen e politikave pro-aktive kundrejt rreziqeve të mundshme, si në drejtim të cilësisë së analizës së rrezikut që kryejnë bankat, ashtu edhe të krijimit të fondeve të përshtatshme të provigjionimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: