Saturday , December 10 2016
1479298524capture1

Indeksi global i terrorizmit: Turqia e Franca, më të prekurat

Numri i përgjithshëm i vdekjeve të shkaktuara nga terrorizmi është ulur me 10% në vitin 2015, duke përmbysur një trend 4-vjeçar të rritjes. Ky është konstatimi që bën raporti i “Indeksit global të terrorizmit 2016”, i hartuar nga Instituti për Ekonomi dhe Paqe.

Megjithatë, raporti që merr në shqyrtim të dhënat për terrorizmin global, të Konsorciumit Nacional për Studimet e Terrorizmit dhe Reagimin ndaj Terrorizmit (START), e po ashtu edhe burime të tjera, arrin në përfundimin se në nivel global, numri i vendeve me shifrat më të larta të vdekjeve në vitin 2015 u rrit në 23, plot 6 më shumë krahasuar me vitin paraardhës.

Mes vendeve që përjetuan përkeqësime të dukshme në “Indeksin global të terrorizmit” janë Franca, Turqia, Arabia Saudite, Kuvajti dhe Tunizia. Nga ana tjetër, Danimarka, Franca, Gjermania, Suedia dhe Turqia regjistruan shifrat më të larta të vdekjeve nga terrorizmi vetëm për një vit, që nga 2000-shi.

Më shumë se gjysma e 557 vdekjeve kishin lidhje me grupin terrorist të Shtetit Islamik, sulmet e të cilit në Paris dhe Ankara ishin nga më të tmerrshmet në historinë e këtyre vendeve. Ndikimi ekonomik global i terrorizmit arriti në mbi 89 miliardë dollarë në vitin 2015, ndërsa pasojat më të rënda në këtë aspekt i ka vuajtur Iraku.

Pesë vendet me ndikimin e përgjithshëm më të lartë nga terrorizmi janë Iraku, Afganistani, Nigeria, Pakistani dhe Siria. Në këto vende, sipas raportit, ndodhën 72% e të gjitha vdekjeve nga terrorizmi në vitin 2015. Sipas një vlerësimi, ku shifra më e ulët tregon ndikimin më të madh nga terrorizmi, Shqipëria renditet e 92-ta, Kosova e 70-a dhe Maqedonia e 78-a.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *