Intervista/ Elbasani gjen “sozinë” e Ozilit, rrëfehet Peqini: Ëndërr të luaj me Arsenalin (Foto) - ElbasaniPlus
Friday , April 28 2017

Intervista/ Elbasani gjen “sozinë” e Ozilit, rrëfehet Peqini: Ëndërr të luaj me Arsenalin (Foto)

Elbasani ndër vite është njohur si një qytet që prodhonte talente në futboll, të cilët në të kaluarën i kanë shërbyer jo vetëm Elbasanit, por edhe Kombëtares. Në ditët e sotme duket sikur është zbehur disi dhe talentet po dalin me pikatore.

Njëri prej tyre që po spikat këtë sezon me verdheblutë, është sulmuesi 18 vjeçar, Jurgen Peqini, i cili luan me ekipin U-19, por për hir të nevojave të skuadërs së parë është afruar tek të rriturit. Me dy golat e shënuar deri më tani, po nxjerr në pah “nuhatjen” e një bomberi i cili ka lindur në këtë skuadër.

Në një intervistë ekskluzive për “Elbasani Plus”, Peqini rrëfehet për karrierën e sapo nisur në futboll, fillesat e tij, lojtari i preferuar, si edhe skuadra ku do të donte të luante në të ardhmen. Jurgeni rrjedh nga një familje futbollistësh, pasi është i biri i Kastriot Peqinit, ish futbollistit elbasanas që ka luajtur edhe në kampionatin maltez.

 

Jurgen, u afruat nga të rinjtë dhe duket sikur po shpëtoni skuadrën e parë nga mbijetesa…

Në fakt jam shumë i lumtur që jam thirrur në ekipin e parë, sepse të gjithë lojtarët që janë tek moshat duan që një ditë të luajnë për Elbasanin. Unë për fat e kam këtë mundësi tani dhe më vjen mirë që kam shënuar dy gola këtë kampionat.

Kur nisët të luanit futboll?

Në moshën 9 vjeçare isha tek një klub privat, si gjithë fëmijët e tjerë që dëshironin të luanin futboll. Trajner ka qenë Bujar Muça fillimisht, më pas me vëllain e tij, Dash Muça. Më pas, pata trajner babain tim (Kastriot Peqini) dhe Besnik Bashaliun tek moshat e Elbasanit.

Po konkretisht tek moshat e skuadrës së Elbasanit?

Kur shkova 14 vjeç kalova tek paratërinjtë e kësaj skuadre, me trajner Sabri Dalipin, aty ku qëndrova dy vjet. Shënova 18 gola dhe dola i dyti në Shqipëri në listën e golashënuesve. Normalisht më pas 16 vjeç shkoja për stërvitje tek të rinjtë, por ndërkohë luaja me paratërinjtë, për shkak të moshës.

Më pas tek të rinjtë spikatët sërish, madje edhe morët ftesën në ekipin e parë apo jo?

Po, kështu ka qenë. Kalova tek të rinjtë 17 vjeç dhe në këtë kohë më thërret ekipi i parë në një ndeshje kupe me Kamzën. Aktivizohem 20 minuta dhe arrij të shënoj golin e parë me skuadrën e Elbasanit. Fillimisht këtë sezon e nisa me të rinjtë, por kam luajtuar me ekipin e parë dhe për fat të mirë kam shënuar dy gola deri më tani.

Çfarë synon të arrish me Elbasanin?

Për momentin normalisht të arrijmë qëndrimin në kategori dhe më pas vitin tjetër të arrijmë Superioren.

Po përsa i përket ndonjë skuadre jashtë vendit, ku ke ëndërr të luash?

Normal çdo futbollist dëshiron që të luajë jashtë vendit. Nuk e di, por më pëlqen Anglia dhe skuadra ku dëshiroj që të luaj një ditë është Arsenali.

Shembullin e cilit futbollist doni të ndiqni?

Babain tim, sigurisht. Ndërsa dëshiroj t’i ngjaj mesfushorit të Arsenalit, Mesut Ozil.

Në kombëtaren e moshave jeni thirrur?

Po, jam grumbulluar si tek U-17 dhe U-19. Një ditë dua të përfaqësoj Shqipërinë dhe ta mbaj veshur atë fanellë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: