Inxhinier Agim Seranaj: Kthehuni në shtëpi, edhe në katet e larta. Nuk ka rrezik që të flini në makina

Inxhinieri Agim Seranaj ka folur në ABC ja e mëngjesit për vlerësimin e banesave që janë dëmtuar nga tërmeti.
Sa i përket panikut tek qytetarët, për shkak të të cilit një pjesë zgjedhin të flenë në makina ai shprehet se tashmë rreziku më i madh ka kaluar dhe qytetarët mund të kthehen në shtëpitë e tyre nëse kanë vetëm plasaritje muresh.

“Nëse pallatet e larta nuk kanë çarje të mëdha, dëmtime serioze, por plasaritje suvaje dhe i kanë rezistuar më së miri tërmeteve, nuk ka asnjë rrezik të kthehesh në to.
Lëkundjet mund të ndjehen, por rrezik nuk ka, veçanërisht në Tiranë”, shprehet ai.
Ndërkohë, Seranaj shprehet se në Durrës në Lagjen 4, zona e Stadiumit dhe Spitallës ka patur shumë dëmtime dhe në pallate me shumë kate, ku disa prej tyre nuk mund të kthehen në gjendje funksionale.
“Vlerësimi në kushte emergjence është i nevojshëm ne përdorim një kategorizm. Fatkeqësisht në zonën e Durrësit dhe në Lagjen 4, zona e Stadiumit dhe Spitallës dhe në këtë zonë ka patur shumë dëmtime dhe jo pak raste të pallateve me shumë kate. Një numër i vogël i tyre janë dëmtuar sa nuk mund të kthehen më në gjendje funksionale, dhe një pjesë që me riparime të vogla bëhen të banueshme”.
Sipas tij 80% e objekteve në Durrës janë të përdorshme edhe sot. Inxhinieri theksoi se ato ndërtesa që nuk kanë pësuar dëme as nga tërmeti i 21 shtatorit dhe as nga ai i 26 nëntorit, nuk ka pse të kenë frikë.
“Të gjitha këto që nuk kanë pësuar as plasaritje, as në të parin as në këtë tërmet, nuk ka pse të kenë frikë. Edhe në Durrës 80% e objekteve janë të përdorshme edhe sot”. /abcnews