Saturday , December 3 2016
elbasani-1

“Ishim mirë kur ishim keq”, Elbasani në kaos

“Ishim mirë kur ishim keq”. Kjo frazë i përshtatet më së miri gjendjes aktuale në të cilën gjendet klubi i futbollit të Elbasanit. I ndodhur në vendin e parafundit vetëm në kuotën e gjashtë pikëve dhe duke rrezikuar qëndrimin në Kategorinë e Parë, elbasanasit janë shumë larg synimeve të fillim sezonit, kur kërkonin me ngulm ngjitjen në Superiore. Problemet herë pas herë me pagat e lojtarëve, si edhe problemet në administrim, e dërguan skuadrën në këtë “derexhe” ku ndodhet tani. Ashtu si sezonin e kaluar, ku ishin skuadra më e dobët e kampionatit dhe me shumë fat dhe ndihmë, ia dolën të mbijetonin. Po sot? Nuk e dimë nëse do ia dalim.

Ishim mirë kur ishim keq, sepse i dinim limitet e skuadrës dhe nuk pretendonim shumë. Të ndërgjegjeshëm se sezonin e kaluar nuk mund të synonim më shumë sesa qëndrimi në kategori, bëm sa mundëm për të shpëtuar sezonin. Dhe, ajo që është më e rëndësishmja, e dinim që ishin keq. Tani, për fat të keq, ende nuk e kemi mësuar sesa keq jemi, për të mos thënë tmerrësisht keq. Drejtuesit trumbentojnë Superioren dhe ende janë të bindur se do e arrijnë, ndërsa lojtarët në fushë nuk po tregojnë nivelin për të pasur një skuadër pretendente. Janë luajtur shtatë javë kampionat, me vetëm një fitore të koleksionuar, tri barazime dhe po kaq humbje. Nëse vijohet me këtë ritëm, mund të dalim më keq se një vit më parë.

Skuadra ende nuk e di që nuk e ka luksin të jetë pretendente për në Superiore dhe për aq kohë sa do të kërkojë të synojë përtej limiteve të veta, mund të rrezikojë edhe qëndrimin. Ishim më mirë kur ishim keq, sepse atëherë i arritëm objektivat përsa i përket mbijetesës. Tani që jemi mirë dhe që duam Superioren, ndoshta as qëndrimin nuk do e arrijmë. Megjithatë, mbase në ndeshjet në vijim do të jemi më mirë sesa kur ishim keq. Të shpresojmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *