Thursday , April 19 2018

KE: Të enjten drafti për parandalimin e financimeve të paligjshme të partive politike

Komisionit parlamentar për reformën i përfundoi dje mandati, pritet të kërkohet shtyrja e tij, edhe pse s’ka pasur asnjë rezultat.

Megjithëse është ngritur prej një viti, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore ka ecur me ritme shumë të ngadalta duke mos arritur që të përmirësojë legjislacionin, si dhe duke mos arritur asnjë përfundim konkret.

Është kjo arsyeja që afati i punimeve të komisionit do të zgjatet, pasi koha e vënë në dispozicion nga Kuvendi për të bërë ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor në kuadër të përgatitjeve të garës së ardhshme parlamentare nuk ka qenë e mjaftueshme për partitë parlamentare.

Shtyrja e veprimtarisë së punës së komisionit, mandati i të cilit ka përfunduar ditën e djeshme, vjen ndërkohë që, zgjedhjet e përgjithshme janë dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe ato pritet të zhvillohen më 18 qershor.

Dhe në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme dhe hartimit të amendimeve në Kodin Elektoral, Këshilli i Europës do të prezantojë për partitë politike një projekt, i cili është fokusuar tek financimi i partive politike, i cili do të propozojë rrugët për të shmangur financimet dhe donacionet e paligjshme, për të ushtruar kontrollin, transparencën, mënyrën e financimit etj.

Burime zyrtare nga komisioni i reformës zgjedhore bëjnë me dije për “Koha Jonë” se, Këshilli i Europës do të vijë me një variant të tijin që ka të bëjë me një përgjigje të kërkuar nga ana e komisionit parlamentar dhe që do t’i prezantohet palëve të enjten e ardhshme.

Të njëjtat burime pohojnë se parimisht drafti i hartuar nga ekspertët europianë ka gjetur dakortësinë e të dy kampeve politike, dhe se ky është projekti i vetëm që ndërkombëtarët po asistojnë në reformën zgjedhore, e cila sipas të njëjtave burime, është shumë më komplekse në tërësinë e saj.

“E vetmja gjë që mund t’ju them lidhur me reformën zgjedhore, është fakti se ka vetëm një pritshmëri, që të enjten e ardhshme, ne do të kemi një kontakt për sa i takon problemit të financimit të partive politike që po merret Këshilli i Europës. Pra Këshilli i Europës ka ndërmarrë një projekt, i cili do të vijë me një variant të tijin që ka të bëjë me një përgjigje të kërkuar nga ana jonë lidhur me çështjen e financimit të partive politike, i cili do të propozojë rrugët për të shmangur financimet dhe donacionet e paligjshme, për të ushtruar kontrollin, transparencën, mënyrën e financimit etj. Por ky projekt është fokusuar i gjithi vetëm për këtë çështje, ndërkohë që, reforma është shumë më komplekse se kaq, pasi çështja e financimit të partive është vetëm një nga elementet e reformës. Realisht, ky është i vetmi zhvillim që ka të bëjë me reformën zgjedhore dhe pothuajse është gjetur mirëkuptimi i plotë në termat e projektit edhe nga opozita, edhe nga maxhoranca. Do të thotë që historia e këtij procesi sa i takon financimit të partive politike, mendoj se shumë shpejt do të marrë dhe miratimin e plotë, sigurisht të ekspertëve, por edhe të përfaqësuesve politikë. Janë zhvilluar takime dhe janë të pranishëm dhe po punohet për përmbylljen e saj”,- u shprehën burime zyrtare nga komisioni.

Nga ana tjetër, të njëjtat burime ngrenë shqetësimin e tyre për këtë mosfunksionim të veprimtarisë së komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, i cili sipas tyre, ka bërë që reforma të ecë me ritme tejet të ngadalta.

“Reforma për të mos thënë se ka ngecur në vend, ka vijuar me ritme tejet të ngadalta, pasi janë një sërë çështjesh të ngritura jo vetëm nga partitë politike, por edhe nga misioni i OSBE/ODIHR-it, problematika që kërkojnë zgjidhje përmes hartimit të kuadrit ligjor, por që me sa duket shumë prej tyre, kjo reformë nuk ka gjasë që t’i realizojë. Por, për të mos u shprehur me nota pesimiste, le të shpresojmë në vullnetin politik, i cili do të bëjë të mundur ndërhyrjet në kohë në Kodin Elektoral”,- theksuan burimet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: