Tuesday , January 22 2019
Loading...

Këshilli Bashkiak Elbasan miraton buxhetin e vitit 2019

Këshilli Bashkiak i Elbasanit miratoi buxhetin e vitit 2019 të Bashkisë së Elbasanit në një mbledhje e cila u karakterizua nga diskutime, qëllimet e të cilave ishin zhvillimi i qytetit dhe investimet në dobi të qytetarëve.
Kryetari i Bashkisë Z. Qazim Sejdini prezantoi para këshilltarëve buxhetin e vitit 2019, si i 12-i buxhet nën drejtimin e tij.
Që në nisje të fjalës së tij Z. Sejdini theksoi se, buxhetet nuk janë të lehtë, e sidomos sfidat që dalin përpara bashkive pas reformës territoriale.
“Elbasani u rrit 110 herë për nga sipërfaqja dhe ju bashkuan 12 njësi administrative, disa nga të cilat nuk kishin asnjë infrastrukturë” tha Sejdini.
Bashkia e Elbasanit ka kaluar me sukses një sfidë të madhe, sfidën e hartimit të një buxheti efektiv, të qëndrueshëm nga viti në vit, një buxheti pa deficit, një buxhet ku përqindja më e madhe shkon tek investimet e shërbimet publike.
Për vitin 2019 Bashkia e Elbasanit ka parashikuar një draft buxhet prej 2.7 miliardë lekësh, i cili nëse përpjestohet me numrin e banorëve në Bashkinë Elbasan, çdo banor do të marrë shërbime dhe produkte bashkiake në vlerë rreth 15 mijë lekë të reja, ndërkohë që paguan vetëm 2400 lekë të reja në vit, pra bashkia subvencionin nga bashkia në masën 80%.
Ky draft buxhet përpiqet të akomodojë interes tw të gjitha banorëve në mënyrën më të mirë financiare për t’u adresuar, por theksi kryesor ka qenë të jemi një bashki sociale, e cila punon për lehtësimin e gjendjes së të varfërve në ofrimin e shërbimeve bazë për ta dhe duke mbajtur nivelin më të ulët të taksave dhe tarifave.
Buxheti i vitit 2019 është 2.7 miliardë lekë dhe krahasuar me 2018 është 11% më i lartë se buxheti i një vitit më parë.
Në total shpenzimet kapitale , pra investimet e bashkisë janë rreth 200 milionë lekë më shumë se 2018.
Nga ky total rreth 40% i zë program i infrastrukturës rrugore; 14% i ze program i shërbimeve publike.
Nëse krahasojmë disa programe me vitin 2018 do të vëreni që:
Programi ujësjellës kanalizime ka rritje me 74%;
Shërbimet publike rritje 37%
Arsimi Parashkollor rritje me 13 %
Rinia e sporti rritje me 15%.
Ky Buxhet është përgatitur në përputhje të plotë me aktet ligjore në fuqi dhe është rezultat një bashkëpunimi të shkëlqyer me qytetarët dhe aktorët e tjerë në takimet e hapura të zhvilluara me ta.
Kryetari i Bashkisë Z. Sejdini vlerësoi Këshillin Bashkiak të Elbasanit i cili gjithmonë ka demonstruar kurajo politike dhe ka marrë vendime të vështira.
“Gjithmonë është nder për dikë të shërbejë për dikë tjetër e sidomos për ne që jemi në shërbim të qytetit, çdo buxhet e shifër që ne së bashku kemi vendosur ka qenë privilegj i jetës sonë për të ardhmen e qytetit” tha Z. Sejdini në mbyllje të fjalës së tij.
Buxheti i Bashkisë së Elbasanit u miratua me shumicë votash nga Këshilli Bashkiak.