Thursday , December 8 2016

KLSH padit kreun e menaxhimit të projektit Elbasan-Tiranë; solli 6 mln $ dëme në ndërtimin e rrugës

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori Drejtorin e Njësisë së Menaxhimit  të projektit për ndërtimin e rrugës  Tiranë –Elbasan. Nga auditimi u konstatua keqmenaxhim i fondeve duke sjellë një dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit në vlerën mbi 2.4 milionë USD, si dhe shpenzime jo korrekte me vlerë mbi 4 milionë USD.

 Kallëzohet në Prokurori Drejtori i Njësisë së Menaxhimit të rrugës Tiranë –Elbasan.

Pas auditimeve të realizuara për këtë projekt për periudhën nga data 30.06.2014 deri me datë 30.06.2016 “Kontrolli i Lartë i shtetit ka konstatuar se ka pasur keqmenaxhim të fondeve duke shkaktuar një dëm ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit në vlerë mbi 2,4 milionë USD dhe shpenzime pa efektivitet me vlerë mbi 4 milionë USD. Nga auditimi i punimeve që po realizohen në Usekun e Mulletit ato  kanë rezultuar difektoze  duke u ripërsëritur  dhe kapin një vlerë prej  1.6 mln  dollarë çka konsiderohet dëm ekonomik”.

Po ashtu  shkelje janë konstatuar edhe me pagesat ndaj kontraktorëve privatë të dhëna në kundërshtim me kontratën e punimeve civile, keqmenaxhim i fondeve në rastin e  menaxhimin e  trafikut që  duhet të realizohej nga vetë kontraktori si dhe afatet  për shlyerjen e detyrimeve.

Për të gjitha shkeljet e mësipërme, sipas KLSH-së  mban përgjegjësi Drejtori i Njësisë së Menaxhimit të projektit të ndërtimit të rrugës Tiranë –Elbasan me iniciale A.Q,  i cili në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij funksionale ka konsumuar elementët e figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” duke dëmtuar rëndë interesat e ligjshme të shtetit duke favorizuar subjektin privat.

Për shkak të problemeve të dala me rrëshkitjen në zonën e Ibës, afati për përfundimin e këtij projekti është shtyrë.

Sipas marrëveshjes së re, 85 % e projektit të lotit Teg-Mullet duhet të përfundojnë brenda 31 dhjetorit 2016 dhe pjesa tjetër brenda marsit 2017.

KLSH kerkon shpallje te papranueshme lidhjen e kontrates 

Bazuar në Manualin e Prokurimeve për shërbime konsulente të Bankës Islamike për Zhvillim, KLSH ka rekomanduar masë administrative për shpalljen të pa pranueshëm për lidhje kontrate për shërbime konsulente Kompaninë e cila është ngarkuar për supervizionin e punimeve si dhe mos lidhjen e kontratave të mëtejshme me Kontraktorët të cilët po realizojnë punimet civile të këtij projekti.

Argumentet

KLSH thotë se pati  ndryshime të projektit të shoqëruara me rritje fiktive të çmimeve për zëra të ndryshëm dhe se pagesa me vlerë 1,757.1 USD, përfaqëson likuidim të punimeve të parealizuara të përfituara padrejtësisht nga kontraktori.

Gjatë auditimit, u konstatua përdorimi paefektivitet i fondeve me vlerë 4,038,959 USD

Ndërsa në total, preventivit të punimeve për rrëshqitjen e Ibës i është përfshirë padrejtësisht dhe në kundërshtim me kontratën vlera 1,604,650 USD.

“Për të gjitha shkeljet e mësipërme, mban përgjegjësi kryesore A.Q, me detyrë Drejtor i Njësisë Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, i cili në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij funksionale ka konsumuar elementët e figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke dëmtuar rëndë interesat e ligjshme të Shtetit dhe favorizuar subjektin privat, (pa përjashtuar këtu edhe mundësinë e konstatimit gjatë hetimeve të përgjegjësisë penale edhe ndaj personave të tjerë anëtarë të Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, si dhe eprorëve të tyre të cilët kanë ndikuar në cfarëdo mënyre dhe që evidentohen më konkretisht në Raportin Përfundimtar të Auditimit)” konstaton KLSH.

Padia në prokurorine e Tiranes u bë me  07.09.2016.

KLSH kallzon në prokurori drejtorin e Njësisë së menaxhimit të projektit “Ndërtim i rrugës Tiranë-Elbasan”

/Oranews.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *