Thursday , April 19 2018

Klubet “moderne” dhe organizimi, kur futbollit shqiptar i “fiken dritat”

Të luash një ndeshje në mbrëmje dhe me drita, në Shqipëri konsiderohet një luks. Edhe pse vendi ynë një përballje në mbrëmje e ka zhvilluar para viteve 2000, afro dy dekada më parë, ende nuk është i përgatitur për të zhvilluar ndeshje në të tilla nivele. Rasti më i fundit ku stadiumet shqiptare dhe futbolli shqiptar nuk mund të krahasohet me atë europian në këtë nivel, ishte në përballjen e djeshme midis Flamurtarit dhe Tiranës. Ndonëse për pak çaste ikën dritat dhe për fat nuk u rrezikua ndeshja, sërish tregoi papërgatitjen e klubeve dhe stadiumeve shqiptare për ndeshjet e mbrëmjes.

Nuk është problemi se ndodhi një defekt dhe u fikën dritat, sepse kjo u ka ndodhur edhe ekipeve të tjera në Europë, por në Shqipëri është kthyer në një “modë”. Ky trend nisi që në përballjen midis Gramozit dhe Realit të Madridit para disa vitesh dhe atëherë bëmë një figurë të keqe. Gjithsesi, u mbyll me aq. Për disa kohë duket sikur ra qetësia në këtë aspekt, por nuk ndodhi kështu. Me t’u rindërtuar “Loro Boriçi” i Shkodrës, në dy raste kanë ndodhur këto probleme. U duk aksidentale. Më pas, rasti flagrant ishte ai në “Selman Stërmasi” në derbin Tirana – Partizani, me ndeshjen që u shtye më pas të luhej në mesditë. Për të mbaruar në Vlorë dhe një zot e di se kujt stadium do i vijë radha tani për të provuar fikjen e dritave. Klubet shqiptare janë kapur “gafil” përballë situatave të tilla, të cilat tregojnë një mungesë të theksuar profesionalizmi dhe mungese financiare për të pasur një gjenerator.

Trumbetohet me të madhe se futbolli shqiptar dhe infrastruktura është “top”, por në fakt jemi vite dritë larg futbollit europian, sidomos në administrim. Futbollit shqiptar po i “fiken dritat” pikërisht atëherë kur u mendua se infrastruktura moderne do të mbulonte hallet e vërteta të futbollit dhe klubeve shqiptare. Me lojtarë që kanë muaj pa marrë pagat dhe presidentë të mbytur në borxhe, halli më i vogël në këto momente duken pikërisht dritat, edhe pse gjithnjë e më shumë po konsiderohet një luks zhvillimi normal i një ndeshjeje në mbrëmje./V.M

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: