Thursday , December 8 2016

Kryetari i bashkisë se Elbasanit, Qazim Sejdini, pret në një vizitë ambasadorin turk

Kryetari i bashkisë se Elbasanit, Qazim Sejdini, ka pritur të enjten në një vizitë ambasadorin turk, Idajet Bayraktar. Sipas kreut të bashkisë, në fokus të bisedës së gjatë mes tyre ka qenë situata në bashkinë e Elbasanit, si edhe mundësitë e mëtejshme të marrëdhënieve midis dy palëve, duke marrë parasysh faktin se në bashkinë e Elbasanit ka shumë kompani turke që  ushtrojnë aktivitete të ndryshme dhe që gjithnjë kanë pasur mbështetjen e saj.

“Në bisedë me diplomatin turk diskutuam edhe për kujdesin që qeveria turke tregon për hapjen e sa më shumë vendeve të punës duke sjellë në qytetin e Elbasanit investorë të fuqishëm dhe seriozë dhe kjo për faktin se gjithnjë janë vlerësuar resurset që ka bashkia e Elbasanit, si dhe mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm të tyre”, tha kreu i bashkisë, Qazim Sejdini.

Duke e cilësuar si shumë serioz bashkëpunimin midis bashkisë së Elbasanit dhe qeverisë turke, Sejdini tha se ky bashkëpunim do të ketë një plan të përbashkët të zhvillimit të mëtejshëm.

Diplomati turk ka falenderuar kreun e bashkisë Qazim Sejdini për mikpritjen, duke e cilësuar shumë të dobishëm dhe të gjithanshëm takimin.  “Nuk është hera e parë që vizitoj qytetin e Elbasanit, pasi kontaktet tona nuk janë vetëm në qendër në Tiranë, por edhe me autoritetet lokale të bashkive të vendit. Në takimin me kryetarin e bashkisë së Elbasanit realizuam një bisedë shumë kuptimplotë”, tha ambasadori, ndërsa shtoi se “para një jave isha edhe në ceremoninë e hidrocentralit të Banjës bashkë me kryeministrin Edi Rama,  e cila është një vepër shumë madhështore dhe e rëndësishme e ndërtuar nga një firmë norvegjeze, por nënkontraktore është një firmë ndërtuese turke”.

Në vijim, ambasadori turk ka zhvilluar një takim edhe me prefektin e Qarkut, Arben Kamami, për të vijuar më pas në Universitetin  “Aleksandër Xhuvani”./ata/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *