Ligji i ri u miratua në korrik/ Sa përfitojnë të dëmtuarit nga “gjendja e emergjencës”

ARDIT HOXHA/ Tërmeti i fortë me magnitudë 6.4 ballë i shkallës rihter, me epiqendër Durrësin, i cili tronditi gjithë Shqipërinë në orën 3:50 të mëngjesit të djeshëm, ka rezultuar katastrofik dhe është më i forti i dekadave të fundit.

Të paktën deri në orën 22:00 të mbrëmjes së djeshme janë regjistruar 22 viktima dhe mbi 650 persona të plagosur, ndërsa ka ende persona që janë poshtë rrënojave. Por as kjo gjendje e rëndë e krijuar nga ky tërmet, i cili është pasuar edhe nga lëkundje të tjera më të lehta, nuk ka bërë që qeveria të shpallë gjendjen e emergjencës apo atë të fatkeqësisë natyrore.
Ligji i kaluar në Kuvend më datë 18 korrik të këtij viti për emergjencat civile parashikon që gjendja e fatkeqësisë natyrore, në një pjesë ose në të gjithë territorin e vendit, shpallet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe zgjat për 30 ditë. Në rast se lind nevoja për ta zgjatur këtë afat, duhet bërë një votim në Kuvend.
Me këtë ligj janë tri kategori të gjendjeve të fatkeqësisë natyrore: ato lokale, rajonale dhe kombëtare, teksa qeveria deri në këto momente nuk ka shpallur asnjërën prej tyre. Kryeministri Rama, në një dalje të tij për mediat në mbrëmje, pasi vizitoi të plagosurit në Spitalin e Traumës në Tiranë, tha se vendimi për ta shpallur ose jo gjendjen e jashtëzakonshme është një gjë formale dhe që do të shikohet më vonë.
“Nuk e di kush jua ka mësuar këtë pyetje. Akti formal i gjendjes së jashtëzakonshme nuk është se sjell më shumë se ky solidaritet i sotëm dhe që do vazhdojë në ditët në vijim. Nesër është dita kur duhet të mendojmë edhe për këtë. Ne do t’i vlerësojmë të gjitha, por ata njerëz do të trajtohen në mënyrën më dinjitoze të mundshme. Kështu që, nuk kemi pasur asnjë kohë sekondë për të menduar për aspektet formale, por ka qenë koha për të bërë gjithçka”, u shpreh Rama. Ndonëse Kryeministri foli për një gjë formale, në ligjin për mbrojtjen civile ka një parashikim për kompensimin e dëmeve në zonat ku shpallet gjendja e emergjencës, kosto që mbulohet nga shteti.
“Shteti shqiptar përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie. Dëmet përballohen nga vetë bashkitë e prekura nga fatkeqësia, nëpërmjet fondit të dedikuar për mbrojtjen civile. Në rast se bashkitë nuk kanë fonde të mjaftueshme për kompensimin, atëherë i planifikojnë ato për vitin pasardhës, deri në masën e kompensimit të subjekteve të dëmtuara. Në rast se vlera e kompensimit e tejkalon 8 % të buxhetit të bashkisë, AKMCja vendos që kompensimi të kryhet nga AKMC-ja (Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile)”, thuhet në nenin 41, pikat, 1, 2, 3 dhe 4 të këtij ligji. Shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme Kryeministrit ia kanë kërkuar edhe strukturat lokale të Emergjencave Civile. Bledar Gjediaj, përgjegjës i Emergjencave Civile në Bashkinë e Kurbinit, në një prononcim për mediat i kërkoi Kryeministrit Rama që të mos humbasë kohë, por të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.
“Shpresoj që edhe Kryeministri i Shqipërisë të shpallë sa më shpejt gjendjen e emergjencës kombëtare, situata është vërtet kaotike”, tha Gjediaj.
1. Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e vendit. Neni 40 Kategorizimi i emergjencave civile
1. Emergjencat civile kategorizohen në:
a) emergjenca civile vendore, që vijnë si pasojë e fatkeqësive që ndodhin në një bashki dhe mund të përballohen me anë të veprimeve të strukturave kompetente të saj;
b) emergjenca civile rajonale, që vijnë si pasojë e fatkeqësive që ndodhin në më shumë se një bashki që, për shkak të natyrës, shkallës dhe shtrirjes së tyre, kërkojnë ndërhyrjen e koordinuar të disa bashkive ose qarqeve;
Neni 41 E drejta e kompensimit
1. Shteti shqiptar përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie.
2. Dëmet përballohen nga vetë bashkitë e prekura nga fatkeqësia, nëpërmjet fondit të dedikuar për mbrojtjen civile.
3. Në rast se bashkitë nuk kanë fonde të mjaftueshme për kompensimin, atëherë i planifikojnë ato për vitin pasardhës, deri në masën e kompensimit të subjekteve të dëmtuara.
4. Në rast se vlera e kompensimit tejkalon 8 % të buxhetit të bashkisë, KMC-ja vendos që kompensimi të kryhet nga AKMC-ja.
5. Në çdo rast, kur shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore, kompensimi mund të bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit