Saturday , December 10 2016
255840

Mbeti pa ndjenja në shkallët e “Elbasan Arena”, tifozja e Partizanit tregon momentet e tmerrit

Tifozja e Partizanit, Trevisa Tufa, e cila ditën e djeshme, e ndodhur në radhët e tifozerisë së skuadrës kryeqytetase, humbi ndjenjat në stadiumin e Elbasanit, ku po luhej ndeshja më e rëndësishme e javës së Kategorisë Superiore “Partizani-Skëndërbeu”. Ajo është prononcuar gjatë ditës së sotme, ku ka shpjeguar me detaje gjendjen e saj dhe çfarë ndodhi gjatë atyre minutave kur u ndie keq.

Trevisa ka treguar se në momentin që është ndier keq është dërguar menjëherë në spital ku ka marr kujdesjen e nevojshme nga ana e stafit mjekësor, por ka bërë deklarata kundra policisë, e cila sipas saj ka qenë përgjegjëse për rritjen e tensionit në stadium si edhe më pas në ambientet e spitalit e kanë “terrorizuar”, ndërkohë që ajo ende nuk e kishte marrë veten mirë.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, vajza rrëfen se: “Më vjen keq ta them, por policët më sëmurën më tepër në spital, sesa vetë incidenti që përjetova në stadium”, tregon tifozja e Partizanit.

“Pashë tifozë që ishin duke u ngjeshur drejt radhëve tona. Nuk e kuptova se përse një moment policët hynë brenda në stadium dhe nisën të ushtronin dhunë. Në fillim as që arrita ta kuptoj se çfarë po ndodhte, sepse shikoja vetëm tifozë që vinin drejt nesh.

Unë isha me babanë në krah dhe për një moment u merakosa edhe për të. Humbja e ndjenjave? Nuk e di nëse kjo më ndodhi prej shqetësimit apo sikletit që përjetova, apo se dikush më goditi. Nuk mbaj mend asgjë të them të drejtën”, tha tifozja e Partizanit.

“Sapo nisa të marr veten dhe të kuptoja pak nga pak se çfarë kishte ndodhur. Por nuk zgjati shumë dhe erdhën policët duke ngritur zërin e duke bërtitur në kupë të qiellit. Aty u sëmura më keq pastaj.

Nisën të debatojnë me babanë tim. Ai po u thoshte se si ka mundësi që policia sillet kaq keq në stadium, por ata nisën t’i hakërrehen dhe të ngrenë zërin”, përfundoi intervistën e saj tifozja e zjarrtë e të kuqve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *