Me 182 km/h në autostradën Tiranë-Elbasan/ Çmenduria vazhdon, edhe me celular në timon

Autostrada Tiranë Elbasan, në disa pjesë të saj siç është rrethrrotullimi i Teg-ut, ka regjistruar një sërë aksidentesh, duke u kthyer kështu në një njollë të zezë. Për këtë arsye, pjesë të kësaj rruge janë marrë nën mbikëqyrje nga policia rrugore pikërisht për të kontrolluar shpejtësinë e automjeteve.

Ky është një nga rastet kur drejtuesit e mjeteve ecin me dyfishin e shpejtësisë së lejuar në këtë rrugë. Shoferi është një 27 vjeçar nga Tirana.

Fundjavën që lamë pas, nga kontrollet e policisë në rrugë të ndryshme të vendit u arrestuan tre shoferë të dehur, u pezulluan 29 patenta, e po ashtu, u vendosën edhe 79 gjoba, për parakalime te gabuara, mosvendosje të kaskës mbrojtëse si dhe për parkime të gabuara.

Por në anën tjetër përdorimi i celularit, është shndërruar në rrezik serioz për aksidente.
Top Channel, për disa minuta vëzhgoi pjesën e rrugës nga rrethrrotullimi i Tegut, deri në afërsi të Saukut. Rezultati është që një pjesë e konsiderueshme e shoferëve drejtojnë mjetin duke përdorur celularin.

Një pjesë e shoferëve, kur konstatuan se ishin duke u filmuar, vendosën të hiqnin celularin nga dora.