Sunday , August 19 2018
Loading...
Kiev, Ukraine - October 17, 2012 - A logotype collection of well-known social media brand's printed on paper. Include Facebook, YouTube, Twitter, Google Plus, Instagram, Vimeo, Flickr, Myspace, Tumblr, Livejournal, Foursquare and more other logos.

MEDIAT, EFEKTET DHE NDIKIMI NË RAPORTIMIN RRETH P/CVE

Rudina Çollaku

Në kohët post-moderne ku po jetojmë ekzistojnë dy mënyra të ndryshme të paraqitjes së realiteteve, në njërën anë janë realitetet me problematikat që i shoqërojnë ato dhe nga ana tjetër janë realitetet e transmetuara nga mediumet shpesh herë të tjetërsuara.

Çdo ditë në mediumet vizive apo edhe ato të shkruara dëgjojmë fjalët ekstremizëm, terrorrizëm, radikalizëm e plot …izma të tjerë.

Këto fjalë kanë pasoja dhe efekte shpirtërore, madje në një impakt të parë ke ndjesinë sikur bota jonë e vogël po pushtohet çdo ditë e më shumë nga e keqja dhe të këqinjt.

Problematikat dhe sfidat politike, ekonomike, sociale me të cilat shoqëria jonë përballet prej shumë vitesh tranzicioni bën që media të mbizotërohet nga kronika e zezë ku një ndër tre lajme kryesisht lidhet me krimin, dhunën, vrasjet, drogën, korrupsionin etj.

Mediumet janë vërtet të pushtetshme saqë një lajm qoftë edhe i rremë besohet dhe përhapet me shpejtësinë e dritës. Një peshë të madhe të përgjegjësisë për dizinformimin e masës e kanë padiskutim masmediat. Mediumet janë ato që heroin e shndërrojnë në një krijesë të parëndësishme dhe të parëndësishmin e bëjnë hero.

Duke e parë në këndvështrimin e rëndësisë që kanë mediumet në ndikimin deri në manipulimin e masës, është e nevojshme që ky pushtet të përdoret në mënyrën më të mirë të mundshme, për të ndikuar pozitivisht në shoqëri dhe për ta ndihmuar shoqërinë të tejkalojë me sukses sfidat që i rezervon e ardhmja.

Kur Isis u krijua përdori shumë mirë median për të përhapur ideologjinë e tij, dhe mediat e “ndoqën” nga pas deri në atë pikë sa i jepnin ‘Live’ të gjitha masakrat që bënte në emër të fesë. Në momentin që mediat e kuptuan gabimin ishte tepër vonë. Shumë kanale të mëdha dhanë dorëheqje të transmetimit të videove të Isis, por transmetimi i atyre pamjeve kishte ndikuar shumë tek masa.Të rinjtë në vende të varfëra si në Algjeri, Mali, Tunizi, Nigeri, Jemen shikonin në këto video makabre një burim frymëzimi për një të ardhme të ndritur dhe heroike të popujve të tyre. Ushtria e organizuar ekstremiste mediatike e Isis mendohet se kishte mbi 20 mijë anëtarë. Kjo luftë mediatike ishte një risi e re për komunitetin ndërkombëtar. Vendet e varfëra të Ballkanit Perëndimor u prekën gjithashtu nga efektet negative të propogandës mediatike të organizatës terroriste të Isis.

Për hir të së vërtetës ekstremizmi i çfarëdolloj natyre përbën “lajm”. Ndërkohë një gabim i madh i masmedias së pa orientuar është gjithashtu narrativa e islamofobisë. Për të luftuar ekstremizmin pikërisht media ra në grackën e Isisit dhe ushqeu pikërisht atë element që Isis dhe grupet  ekstremiste e  ushqejnë më shumë elementin e “fobisë” nga besimi islam dhe myslimanët, sidomos në Perendim. Emigrantët apo myslimanët e rinj europian me prejardhje nga Afrika apo Azia e Largët e hasin diskriminimin në jetën e tyre të përditshme. Lagjet e izoluara në Holand, Belgjikë, Francë apo Lester ndajnë të njëjtin shqetësim të përbashkët, atë të izolimit dhe përjashtimit nga shoqëria. Ky shqetesim nuk është vetëm në Europë por edhe në Australi, SHBA dhe gjetkë.

Sipas një studimi të ONEPATHNETWORKnë Australi përgjatë një viti u monitoruan 5 gazetat më të mëdha të vendit për mënyrën e raportimit të lajmeve në lidhje me përdorimin e  termave islam, musliman  me termat e përdorur në faqet e para si terrori, ekstremizmi, dhuna, xhihadi. Numri i artikujve që janë botuar me këto çështje gjatë gjithë vitit 2017  ishte  mbi 3000 artikuj, ku çdo ditë mbi 8 artikuj janë botuar në shtypin Murdoch, mënyra se si narrativat e medias rreth islamit dhe lidhjes me sulmet ekstremiste dhe aktet terroriste janë jopropocionale, ndarëse dhe të rrezikshme. Kjo vërehet edhe nga një sondazh i Raportit Thelbësor, i cili  zbuloi se: 2.6% e popullsisë australiane identifikohen si muslimanë.

Universiteti zbuloi se 71% e australianëve ishin të shqetësuar për ngritjen e Islamit dhe ekstremizmit në nivel lokal. Një tjetër sondazh i Australian National zbuloi se 49% e australianëve mbështetën një ndalim të Imigracionit musliman në Australi.

Në të njëjtin vit megjithatë, studiuesit në Universitetin Griffith gjetën se 70% e Australianëve besonin se ata vetë dinin “pak ose asgjë në lidhje me fenë dhe pasuesit e saj “(O’Donnell 2017).

Vendi ynë si një vend multifetar është i prekur ndonëse pak nga fenomeni i islamofobisë, por nuk do të thotë që fenomeni nuk ekziston. Rritja e urrejtjes ndaj një besimi dhe komuniteti të caktuar cënon të drejtat e lirisë dhe jetës për atë komuntitet, kështu deklaroi kryeministri Rama pas atentatit në Paris, ‘Kjo është një luftë e vërtetë!’.

Ti kthehemi dhe njëherë rolit të medias, ato duhet të shfrytëzojnë pushtetin e tyre për të edukuar përmes modeleve pozitive dhe duhet t’i përdorin të gjitha burimet që zotërojnë për  informimin e masës, për parandalimin e fenomeneve negative, duke realizuar në këtë mënyrë misionin e tyre.

Vetëm në këtë mënyrë shoqëria mund të përballojë e të kapërcejë edhe sfidat moderne.

Nismat e pakta mediatike që po realizohen në vendin tonë, ku pjesëmarrës janë edhe përfaqësues të mediave siç është nisma e Gazetes Mendimi, apo portali Foltash në Kosovë  kanë si synim parandalimin e formave apo shfaqjeve të ekstremizmit.

Ekstremizmi shpesh herë nuk është aq i lehtë për t’u identifikuar. Megjithatë mënyrat dhe format për ta parandaluar atë janë të shumta dhe nëse përdoren në mënyrën e duhur mund të jenë edhe efikase.

Në shumicën e rasteve veprat me natyrë ekstremiste i kemi parë që kryen nga njerëz të veçuar, të mbyllur, të cilët mund të kenë rënë pre e grupeve kriminale e që janë orientuar nga burime të pasigurta si interneti etj.

Prandaj mediumet dhe sensibilizimi i shoqërisë përmes tyre e jo vetëm, luajnë një rol shumë të rëndësishëm për reduktimin deri në eliminimin e këtij fenomeni.

Kemi nevojë për promovimin e shembujve pozitivë, të cilët të shndërrohen në burim frymëzimi për të rinjtë tanë, në mënyrë që të kemi një shoqëri të konsoliduar dhe në harmoni.

Në këtë kuadër kërkohet një lloj balance. Media dhe terrori, janë të lidhura në mënyrë të pashmangshme mes tyre. Mediat, pritet që të raportojnë dhe analizojnë terrorizmin si një problem me prioritet ndërkombëtar. Megjithatë, arritja e ekuilibrit të duhur ndërmjet informimit të publikut pa i bërë jehonë frikërave të panevojshme dhe dhënies së një publiciteti dhe vëmendje joproporcionale ndaj një organizate terroriste, është një detyrë e ndërlikuar.

Roli i gazetarit, sidomos gjeneratës së re të gazetarëve, është shumë i rëndësishëm, ndaj është e nevojshme që gazetari të ruajë paanshmërinë, të jetë i pavarur dhe i përgjegjshëm në misionin e tij fisnik.