Sunday , December 11 2016
ministri-i-jashtem-britanik

Ministri i Jashtëm britanik: Bashkëpunimi me Specialen tejet i rëndësishëm

Ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson në një fjalim para deputetëve të Kuvendit tha se Kosova ka përparuar shumë krahasuar me vitin 1999 kur ishte këtu, por tha se të zgjedhurit e popullit duhet të punojnë më shumë në shërbim të qytetarëve të saj.

Ai duke folur para deputetëve tha se qytetarët e këtij vendi kanë të drejtë të kërkojnë më shumë zhvillim dhe llogari nga njerëzit e zgjedhur.

“Para 17 vjetëve isha në Prishtinë, dhe pash një qytet krejt tjetër nga ky që shoh sot. E mbaj mend që kam parë xhamitë dhe fshatrat që po digjeshin… Ne dhe NATO padyshim po ndihmonin në krijimin e një shoqërie dhe shteti të ri…”, tha Johnson.

Tani sipas tij, Kosova është transformuar, nga një vend lufte, në një shoqëri që ka zgjedhur përfaqësuesit e saj, një shoqëri sekulare. “Mendoj se Kosova mund të jetë shembull i ndritshëm i të tjerëve, për të dëshmuar se çfarë mund të bëhet”, tha ministri i jashtëm britanik.

Johnson foli edhe për zhvillimet e brendshme në Kosovë.

Ai tha se vendosja e njerëzve në pozita sipas meritës është esenciale për zhvillimin e një vendi.

“Jam i gëzuar që Britania e Madhe po ndihmon ta luftoni nepotizmin”, tha ai.

Johnson po ashtu tha se vendi i tij mbështet krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik.

Sipas tij, Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm që ta zhvillojë turizmin.

“Shumë mund të bëjmë së bashku… Keni miq dhe mbështetës në Mbretërinë e Bashkuar”, tha ai.

Ministri i Jashtëm britanik foli edhe për sfidat e përbashkëta, si luftën kundër terrorizimit, ekstremizmit, krimit të organizuar. Ai po ashtu përmendi grupet kriminale shqiptare në Britani, e që janë problem për vendin.

Johnson ka folur edhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ai tha se e di se kjo është e vështirë pasi ende ka dhimbje nga e kaluara, por sipas tij, përmirësimi i raporteve Kosovë-Serbi, është në dobi të dy shteteve.

Ministri i Jashtëm ka folur edhe për Gjykatën Speciale.

Ai tha se duhet të bashkëpunohet me këtë gjykatë dhe të gjithë fajtorët për krime lufte që eventualisht kanë ndodhur në Kosovë duhet vënë para drejtësisë.

“Bashkëpunimi me Gjykatën Speciale është tejet i rëndësishëm për Kosovën, pavarësisht se sa e vështirë mund të jetë kjo”, ka thënë Johnson.  /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *