Sunday , December 4 2016
makinat-akciza

Miratohet Paketa e re Fiskale/ Ja cila kategori preket nga rritja e dy taksave për makinat

Duke filluar nga 1 janari 2017-të, personat që posedojnë automjete me gaz do të paguajnë më shumë për karburantin. Një vendim i miratuar kohëve të fundit ka vënë më shumë taksë edhe drejtuesit e makinave të luksit. Paketa e re fiskale e miratuar nga qeveria sjell ndryshimet për të dy taksat e reja për makinat. Gazeta Panorama boton ndryshimet e taksës për makinat e luksit dhe makinave që përdorin impiantin e gazit dhe efektet që pritet të sjellë kjo taksë për çmimin e gazit në treg.

Gazi

Qeveria miratoi taksën e re fiskale, ku përcakton aplikimin e akcizës për gazin e lëngshëm që përdorin makinat në masën 13 lekë për litër. Bëhet fjalë për gazin e lëngshëm që shitet në pikat e karburantit dhe jo për gazin e lëngshëm për konsum familjar. Në relacionin e paketës fiskale, qeveria argumenton se aplikimi i akcizës për gazin e lëngshëm për automjete në nivelin 13 lekë/litër bëhet me qëllim përafrimin me standardet e BE-së dhe të vendeve të rajonit që e taksojnë këtë produkt. Deri më sot gazi i lëngshëm për automjetet është përjashtuar nga akciza, por në të gjitha vendet e Europës ai taksohet si produkt energjitik, pra si nafta dhe benzina.

Sipas të dhënave që jepen në paketën fiskale, llogaritet që importi vjetor i këtij produkti të jetë 25 mijë tonë në vit. Ndryshimi i akcizës, duke përfshirë edhe TVSH-në, pritet të ndikojë në rritjen e çmimit të gazit në 15 lekë për litër. Aktualisht çmimi i shitjes së gazit për automjetet është 45 lekë deri në 50 lekë për litër. Aplikimi i akcizës do të sjellë shtrenjtimin e çmimit, i cili pritet të variojë nga 60 lekë deri në 65 lekë. Duke qenë se importi i gazit të lëngshëm për përdorim nga makinat është rreth 25 mijë ton në vit, qeveria llogarit se efekti në të ardhurat buxhetore pritet të jetë 0.5 miliardë lekë nga akciza dhe 0.1 miliardë lekë nga TVSH-ja. Efekti total në të ardhura vlerësohet plus 0.6 miliardë lekë.

Makinat e luksit

Edhe taksat për makinat e luksit do të ndryshojnë. Sipas ligjit aktual, teksa e regjistrimit prej 70 mijë lekësh paguhet nga makinat me cilindrat mbi 3 mijë kubikë dhe me çmim mbi 7 milionë lekë. Nga janari i vitit të ardhshëm, kjo taksë do të paguhet nga automjetet me vlerë mbi 5 milionë lekë dhe me cilindrat mbi 3 mijë kubikë. Ulja e çmimit të taksës së makinave luksoze do të shtojë numrin e drejtuesve të automjeteve që do të paguajnë taksën e re. Drejtoria e Shërbimit të Transporteve rekomandon që për llogaritjen e taksës së luksit vetëm për efekt të çmimit, të merren parasysh edhe mosha e mjetit.

Për drejtorin e regjistrimit të makinave, Midha, amortizimi i mjetit ndikon në ndryshimin e çmimit të mjetit. “Për efekt të taksës së luksit dhe konkretisht në kriterin e çmimit e jo kapacitetit motorrik, do të rekomandonim të merrej parasysh mosha e përdorimit të mjetit, për shkak të amortizimit të saj”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *