Sunday , December 11 2016
kuq-e-zi

Nga Kombëtarja tek futbolli shqiptar, aty ku pasioni na “ngushëllon”

Arritja historike e Kombëtares Shqiptare në Europianin “Francë 2016”, u duk sikur do të niste një epokë të re në futbollin shqiptar. Kjo, jo e lidhur vetëm me faktin se për herë të parë bëmë realitet një ëndërr të kahershme, porse do t’i shërbente futbollit shqiptar për t’u “europianizuar” dhe të ishte në rangun e ekipeve simotra në Evropë. Nëse për Kombëtaren deri-diku mund të krenohemi se jemi pjesë e Kontinentit “plak” jo vetëm si territor, por edhe si mentalitet, për fat të keq e njëjta gjë nuk mund të thuhet për futbollin e klubeve shqiptare në kampionatin vendas.

Nuk është pasioni ai që të mban me bukë, por puna. Për fat të keq, në futbollin shqiptar nuk mungon as puna dhe as pasioni. Ato që mungojnë janë paratë. Nuk po diskutojmë për kategoritë inferiore në futbollin tonë, sepse aty mungon si pasioni, si puna, ashtu edhe paratë. Flasim për Superligën, për skuadrat që ashtu si edhe Kombëtarja marrin pjesë në kompeticionet europiane dhe krenohen se vit pas viti po pësojnë rritje. Për çfarë rritje flitet, kur ende futbollistët profesionistë nuk kanë të garantuar rrogën mujore për të cilën kanë firmosur edhe kontratën? Ky është paradoksi me të cilën përballen lojtarët në futbollin shqiptar, të mos paguhen për punën që bëjnë. Shumë pak klube kanë të garantuara pagat e futbollistëve dhe për aq kohë sa kjo çështje nuk do të zgjidhet, futbolli shqiptar do të jetë në “anekset” edhe të kampionateve fqinjë dhe jo më në Evropë.

Për aq kohë sa pasioni, i bashkangjitur me punën, nuk do të paguhet, kampionati shqiptar do të vijojë të jetë shumë larg pritshmërive dhe dëshirës që mund të ketë cilido. Rrjedhimisht edhe cilësia do të lërë për të dëshiruar, duke sjellë gjithnjë e më pak tifozë në shkallët e stadiumit. Megjithatë, për momentin të krenohemi paksa me Kombëtaren, ndërsa për kampionatin vendas… të na rrojë pasioni!/elbasaniplus/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *