Sunday , December 4 2016
obama-3-780x439

Obama mbërrin në Greqi, takime me krerët e shtetit nën masa të larta sigurie

Barack Obama mbërriti në Athinë, në ndalesën e parë të një turneu shtatë-ditor, i fundit si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në Athinën e blinduar nën masa të rrepta sigurie, presidenti do të mbajë fjalimin e fundit mbi politikën e jashtme amerikane, ku natyrisht pritet të sigurojë europianët se linja strategjike amerikane nuk ndryshon me ardhjen e Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Rreth 5000 policë grekë dhe 500 agjentë amerikanë sigurie po sigurojnë jetën e presidentit. Kontrollet e rrepta fillojnë në aeroportin e Athinës, ku edhe rojet e zonës që do të presin presidentin amerikan, janë kontrolluar imtësisht.

Tre limuzinat presidenciale të mbërritura enkas me një avion të posaçëm janë stacionuar në aeroportin e Athinës në ruajtje të rreptë, ndërsa eskorta presidenciale përbehet prej plot 420 automjeteve shoqëruese.

Dy satelitë ushtarakë janë pozicionuar mbi territorin grek, kurse ushtarakë amerikanë janë ngarkuar me sigurinë e komunikimeve të presidentit dhe eskortës.

10 fuoristrada me pajisje për bllokimin e telefonave dhe pajisjeve shpërthyese gjenden mes pajisjeve speciale që mbrojnë presidentin amerikan.

Çdo rruge në të cilën do të kalojë presidenti do të bllokohet të paktën 30 minuta përpara, ndërsa autoritetet thonë se ende nuk ka një itinerar të qartë se nga do të kalojë presidenti. Kontrolle të rrepta janë marrë edhe në zonën e hotelit ku besohet se do të qëndrojë presidenti Obama.

Zona detare në gjirin e Glifadhës ku ndodhet hoteli luksoz është mbyllur për 30 orët e ardhshme.

Masa të rrepta sigurie janë marrë edhe në fondacionin Stavros Niarkos dhe zonën e akropolit, të cilat gjithashtu do të jenë stacione të vizitës së Obamës në Athinë.

Edhe stacionet e metrosë që ndodhen pranë  zonave që do të kalojë presidenti janë mbyllur deri në largimin e tij.

Në terren, policia greke ka njoftuar se janë ndaluat grumbullimet dhe protestat që prej orës 06:00 të mëngjesit të së martës e deri në orën 16:00 të së mërkurës, orë që presidenti Obama do të jetë larguar nga vendi.

Por duket se sindikatat greke nuk kanë qenë dakord me këtë vendim të autoriteteve dhe kanë paralajmëruar protesta në orët e mbasdites.

Sindikatat e quajnë provokim mbërritjen e Obamës, më pak se 48 orë nga mbajtja e protestave me rastin e përkujtimit të masakrës se politeknikumit të Athinës, ku siç dihet qeveria amerikane luajti rol aktiv në mbështetje të juntës ushtarake greke në vitet 1970-1978.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *