Thursday , December 8 2016
1480589676ramaaa

Parlamenti diskuton paketën fiskale, Rama: 540 mln $ për qytetarët. Reagon Bode

Duke folur për paketën fiskale në seancë parlamentare, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se gjatë qeverisjes së tij në shërbim të qytetarëve kanë kaluar 540 milionë dollarë nga buxheti i shtetit.

“Në 8 vitet e qeverisë së shkuar u spostuan nga arka e shtetit në arkën e familjeve përmes rritjes së rrogave dhe pensioneve 124 milionë dollarë gjithësej. Ndërsa ne kemi hequr gjysmë miliard dollarë për t’i kaluar nga duart e shtetit tek të qytetarëve. 540 milionë dollarë. Kjo shifër nuk përfshin rritjen e rrogave të Policisë së Shtetit që në buxhetin e parë me 10 milionë dollarë çdo 4 vjet, duke e çuar shumën totale në 580 milionë”, ka deklaruar Rama.

Në të njëjtën kohë, ka shtuar kreu i qeverisë, qeverisë i është dashur të shlyej 720 milionë dollarë borxhe të fshehura që i gjeti kur mori detyrën.

“Na u desh të përballemi me një krizë të vërtetë financimi me kantieret e hapura në rrugë. Qeveria e vjetër thoshte kur ishte në pushtet se kishte bërë 10 mijë km rrugë, ndërsa tani në opozitë thotë se ka bërë 11 mijë, pra ka bërë edhe 1 mijë kur e kanë shkarkuar nga detyra. E vërteta është se ka bërë 1.744 km rrugë, jo 10 mijë dhe likuidoi vetëm 34 për qind të vlerës financiare të kontraktuar”, ka vijuar Rama.

Ai ka theksuar se, buxheti i qeverisë së tij shmangu rënien në greminë të sistemit financiar të vendit dhe solli një rritje ekonomike të qëndrueshme.

“Sot, nga një ekonomi që luahtej mes 0 dhe 1 për qind, këtë vit do të rritet me 3.3 dhe 3.5 për qind dhe do vazhdojë të rritet çdo vit. Me këtë buxhet jo vetëm rrisim rrogat dhe pensionet, por po financojmë reformat për modernizimin e shtetit, por përmirësojmë financat publike dhe stimulojmë mirëqeverisjen”, ka thënë Rama.

Më tej, Rama ka bërë të ditur edhe një risi që ka të bëjë sipas tij me shëndetësinë, e cila do t’u vijë në ndihmë qindra mijëra familjeve në nevojë.

“Në këtë buxhet, nga fusha e shëndetësisë, duke e thelluar më tej reformën në shëndetësi, në 2017, ne do të zgjerojmë listën e ilaçeve të rimbursueshme për plot 600 mijë shqiptarë, që janë të pasiguruar dhe deri më sot nuk kanë përfituar asgjë nga kjo listë. Nga janari ata do të rimbursohen plotësisht”, ka saktësuar Rama.

Sipas tij, kjo do të thotë 8 milionë dollarë njerëzit në nevojë nuk do t’i shpenzojnë më për ilaçe, por do t’i mbajnë si kursime e që në total do të shkojnë në 384 milionë dollarë.

Duke qëndruar tek shëndetësia, Rama ka thënë se, qeveria do të investojë 3 për qind të GDP-së në këtë sektor, ose 52 milionë dollarë, nga të cilat 31 milionë do t’i investojnë kompani partnere.

Bode: Qytetarët, të ekspozuar ndaj rritjes së taksave dhe çmimeve

Duke reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit për paketën fiskale, ish-ministri i Financave, Ridvan Bode ka theksuar se e vetmja gjë që ka bërë kjo qeveri ka qenë asfiksimi i qytetarëve me taksat e rritura.

“Shqiptarëve iu morën 400 milionë dollarë më shumë me faturat e energjisë, me burg e më policë. Kjo është ulja që premtuat në fushatë? Nuk e bëtë naftën pa akcizë për peshkatarët dhe fermerët, sikurse premtuat. Për më tepër, taksën e qarkullimit ia shtuat me 240 lekë të tjera për litër duke e bërë naftën për peshkimin dhe bujqësinë më të shtrenjtën në rajon”, ka thënë Bode.

Sipas tij, “në këto 3 vite e gjysmë shqiptarët kanë paguar 2 miliardë dollarë taksa më shumë, ndërkohë që i gjithë prodhimi i brendshëm bruton është 2.45 mld dollarë”. “Ju keni shterrur gjithë prodhimin e brendshëm bruto të vendit”, ka thënë Bode.

Ai ka theksuar se, edhe rritja e pensioneve që pretendon kryeministri Rama është një farsë. “Harroni që pjesën dërrmuese të pensionistëve i keni lënë të ekspozuar ndaj rritjes së çmimeve dhe taksave”, ka vijuar Bode.

Sa për ish-pronarët, ai ka akuzuar Ramën se, në këto 4 vjet ka dhënë më pak dëmshpërblime se qeveria e kaluar. “U keni dhënë vetëm atyre që janë gjallë, trashëgimtarët e atyre që kanë vdekur nuk kanë marrë gjë. Pavarësisht kësaj, 80 për qind e përfituesve kanë marrë vetëm 2 këste”, ka thënë Bode.

Duke vazhduar me akuzat ndaj kreut të ekzekutivit, Bode ka shtuar se, niveli i papunësisë është më i lartë që nga momenti kur kjo qeveri erdhi në pushtet.

Ahmetaj: PD la një shtet të falimentuar e të mbytur në borxhe

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka deklaruar se opozita e sotme e la vendin në gjendje të falimentuar ekonomike kur la pushtetin. Duke folur në seancë plenare, Ahmetaj ka publikuar edhe shifrat që tregojnë sipas tij situatën që mund ta çonin Shqipërinë drejt një skenari grek.

“Në 2013 gjetëm një shtet të falimentuar nga disa njerëz, që sot bëjnë kukuvajkën sepse shpresonin se Shqipëria do të përfshihej nga një skenar grek. Kur erdhëm në pushtet gjetëm një borxh publik prej 70.4 për qind, sipas FMN. Defiçiti vjetor, i shpenzuar që në gjysmën e parë të vitit, duke pamundësuar qeverinë e sapo ardhur të financonte veprimet e përditshme. Kjo do të thotë se një qeveri e papërgjegjshme të gjithë shumën e lejuar me ligj të defiçitit buxhetor e kishte harxhuar komplet”, ka thënë Ahmetaj.

Ai ka nënvizuar se, “nëse qeveria e re nuk do të kishte bërë asgjë, më 23 tetor nuk do të kishte para as për pagat e policisë, shëndetësisë dhe as për pensionet”.

“Të njëjtët njerëz që vijnë këtu për herë të tretë në tentativë të dështuar për të rimarrë të drejtën për të falimentuar sërish Shqipërinë e lanë pushtetin me 726 milionë dollarë borxhe nën tryezë. 200 milionë dollarë ishin detyrime të papaguara, 44 milionë dollarë të mohuara ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara, 30 milionë dollarë gjoba elektorale, 150 mln euro humbje në vit në sistemin energjitik”, ka thënë Ahmetaj.

“Çfarë patët me ish-ushtarakët që u mbajtët 10 milionë dollarë, me fermerët që u premtuat se do t’u rimbursonit 60 për qind të TVSH-së?”, është shprehur ai.

Ministri i Financave ka shtuar se, buxheti i ri është buxheti i reformave madhore të Shqipërisë, “që ka bërë të mundur kthesën më të madhe në historinë e këtij vendi”. “Është buxheti i konsumit të qytetarit”, ka thënë Ahmetaj.

Ai e ka vënë theksin edhe tek aplikimi i taksës progresive, “përmes të cilës në 4 vite i kemi kthyer mbrapsht 440 milionë dollarë. Tatimi progresiv ka ulur barrën për qytetarët”, ka shtuar Ahmetaj.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *