Sunday , September 15 2019
Loading...

Produkte të pasigurta/ AKU gjobit 3 biznese, bllokon 27 ton mish pule nga Brazili

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar 27.642 ton produkte të pasigurta, teksa ka mbyllur dy biznese private si dhe ka gjobitur me 3.5 milion lekë 3 të tjera për shkak se nuk poltësonin kushtet e nevojshme. Konkretisht, ditën e djeshme u kthye në vendin e origjinës  27 ton “mish pule” me origjinë nga Brazili dhe destinacion Shqipërinë, e importuar nga subjekti “ZICO sha”, sepse nuk plotësonte kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore pasi kishte mangësi në dokumentacionin shoqërues (pavlefshmëri të certifikatës veterinare).

Nga ana tjetër, gjatë kontrollit në subjektin “TONA-ALB” në qytetin e Korçës u konstatuan produkte si erëza të skaduara, produkte të papajisura me etiketa të panotifikuara nga ana e AKU-së si salcë 163 kg, mustardë 400 kg, kokteil 13 kg. Gjithashtu të dhënat në etiketë nuk përkonin me përshkrimin e produktit në kartën teknologjike dhe mbi të gjitha ai vijonte aktivitetin pa licensë përkatëse, ndonëse kishte aplikuar.

Për këtë ai është gjobitur 1,000,000 lekë mosdisponim licence për ushtrim aktiviteti, 500,000 lekë tregtim produktesh me afat të kaluar përdorimi, 200,000 lekë veprime në kundërshtim me përgjegjësitë e operatorit të biznesit, 100,000 lekë mungesë e sistemit të gjurmeshmërisë, 100,000 lekë etiketim në kundërshtim me ligjin. Ndërkohë bëhet e ditur se janë bllokuar edhe 66 kg produkte të konstatuara të pasigurta për konsum me qëllim asgjësimin e tyre dhe 576 kg produkte të paetiketuara deri në etiketimin e tyre konform ligjit.

Në qytetin e Fierit, supermarketi “Shaqir Hoxha” është gjobitur sepse  ushtronte aktivitetin i papajisur me licencën përkatëse, pa sistem gjurmueshmërie dhe pa planin/manualin e vetëkontrollit (HACCP). Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat e mëposhtme: Gjobë me vlerën 1,000,000 lekë mosdisponim licence për ushtrim aktiviteti, 100,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë, 100,000 lekë për mungesë e planit/manualit të vetëkontrollit, e për rrjedhorë ndërpreje të biznesit deri në plotësimin e kërkesave ligjore.

Së fundmi, në një mëngjezore në Bërdicë të Shkodrës, “Liljanë Shuajup Prevja” ushtrohej puna ne kushte higjeno-sanitare aspak normale me pajisje të punës të papastra dhe me prani ndryshku, muret të dëmtuara, tualeti me dalje të drejtpërdrejt në ambjentet e punës dhe pa analiza të ujit të pijshëm. Gjithashtu ai nuk ishte i regjistruar në QKB.

 Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat e mëposhtme:

“Gjobë” me vlerën 300,000 lekë (mungesë të kushteve higjeno-sanitare),

“Gjobë” me vlerën 100,000 lekë (mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë),

“Ndërprerje e menjëhershme e aktivitetit”, deri në plotësimin e kërkesave ligjore.