Monday , December 11 2017

Protesta masive në Gjermani, nis takimi i G-20 në Hamburg

Kancelarja Angela Merkel i priti në një takim të parë kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve më të rëndësishme të industrializuara dhe të vendeve në ekspansion. Tema e takimit ishte lufta kundër terrorizmit. Ndërkohë, kundërshtarët e takimit të nivelit të lartë, u përpoqën të bllokojnë rrugët që të çojnë në qendrën e takimeve, policia përdori ujëhedhës, automjetet u përfshinë nga flakët.

Zonja e parë e SHBA, Melania Trump nuk largohet dot nga hoteli ku po rri në Hamburg për të ndjekur ngjarjet e G20-ës për arsye sigurie, tha zëdhënësi i saj, të cilin e citon agjencia e lajmeve, dpa.

Bashkëshortet dhe bashkëshortët e liderëve që ndjekin G20-ën po bëjnë një shëtitje turistike në qytetin e Hamburgut, me bashkëshortin e Kancelares, Joachim Sauer. Zonja e parë e SHBA, Melania Trump nuk qe e pranishme në pjesën e parë të programit, që përfshinte një shëtitje me anije në portin e qytetit. Brigitte Macron, gruaja e Presidentit francez Emmanuel Macron dhe bashkëshorti i Theresa May-t, Philip May ishin të dy në anije. E pranishme qe edhe Sophie Gregoire Trudeau, gruaja e kryeministrit të Kanadasë, Justin Trudeau me djalin e tyre tri vjeç, Hadrien.

Kryeministrja britanike, Theresa May thotë se udhëheqësit e G-20-ës do të përpiqen ta bindin Presidentin e SHBA, Donald Trump që të ribashkohet me Marrëveshjen e Klimës së Parisit.

“Besoj se kjo është e mundur”, i tha ajo televizionit të BBC, por theksoi se marrëveshja nuk do të rinegociohet. “Mesazhi kolektiv që do t’i jepet Presidentit Trump në këtë tryezë do të jetë se është e rëndësishme që Amerika të rikthehet në Marrëveshje dhe shpresoj se do të jem në gjendje që të punoj që kjo të ndodhë.”

Protestuesit nuk arritën t’i pengojnë udhëheqësit botërorë që të mblidhen në takimin e G-20-ës, por arritën të pengojnë një ministër gjerman.

Ministri gjerman i Financave, Ëolfgang Schäuble nuk e ndoqi dot siç qe planifikuar një diskutim në podium të premten, për shkak të situatës së tendosur të sigurisë, thanë organizatorët. Diskutimi me temë “G20 Global Classroom” pritej të përfshinte studentë nga disa vende.

Policia e Hamburgut tha se sot në mëngjes, drejt njërit prej helikopterëve të saj u hodh një raketë sinjalizuese, që për pak e goditi helikopterin.

Presidenti i SHBA, Donald Trump dhe Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin u takuan për herë të parë personalisht. Sot paradite pati një shtrëngim të parë duarsh, pasi mbërritjes së të gjithë kryetarëve të shteteve, bëri të ditur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov. “Ata i dhanë dorën njëri-tjetrit dhe thanë se do të takohen shpejt veçmas”, i tha Peskovi agjencisë së lajmeve Tass. Një takim më i gjatë është parashikuar për pasdite.

Grupi BRICS i shteteve kryesore në ekspansion ekonomik (Brazil, Rusi, Indi, Kinë, Afrikë e Jugut) i bëri thirrje G-20-ës që të çojë përpara zbatimin e Marrëveshjes së Parisit për ndryshimin e klimës dhe deklaroi mbështetje për “një sistem tregtar të bazuar në rregulla, transparent, jo diskriminues, të hapur, përfshirës dhe shumëpalësh”, si dhe “për zbatimin dhe forcimin e rregullave të OBT për angazhimet”, edhe si një kundërshtim i proteksionizmit. Pozicioni i tyre i vë këto shtete kundër Presidentit të SHBA, Donald Trump, i cili e ka nxjerrë vendin nga Marrëveshja e klimës e Parisit dhe kërkon të ndjekë në tregti moton “America First”.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: