Sunday , December 4 2016

Rama në Elbasan; Premton shërbim më të shpejtë të urgjencës

Duke filluar nga java e ardhshme, banorët e Elbasanit do të kenë një shërbim më të shpejtë dhe më efikas të urgjencës mjekësore. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ishin në Elbasan, ku panë nga afër riorganizimin e këtij shërbimi.

“Është një Urgjencë tërësisht e decentralizuar në kuptimin e territorit, pra, ka një shtrirje shumë më kapilare në territor dhe garanton një shërbim shumë më ët shpejtë dhe një lehtësim të konsiderueshëm për personelin e spitaleve. Jam i bindur që brenda 5 muajve të ardhshëm do të jemi në një situatë tërësisht tjetër në Shërbimin Kombëtar të Urgjencës.”

Për kreun e qeverisë riorganizimi i sistemit do të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët.

“Pa ndryshuar numrin e automjeteve është plotësisht e mundur që të ndryshojë cilësia e shërbimit. Faktikisht, të kalojmë këtu në këtë qark, nga një automjet për 43 000 banor në një automjet për 25 000 banorë. Thuajse një përgjysmim të numrit që mbulohen nga një autoambulancë. Ne sot jemi në një fazë të re lidhur me emergjencat në tërësi, pasi siç ndoshta ju jeni në dijeni, sot mjafton t’i biesh një numri, 112, për të pasur imediatisht një përgjigje nga ana tjetër e telefonit, që të adresosh qoftë çështje që lidhen me rendin, me sigurinë, zjarrin apo shëndetin.”

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, tha se riorganizimi i shërbimit do të ketë 12 autoambulanca dhe një staf të përforcuar të personelit. Gjatë vizitës në Elbasan, Kryeministri u takua edhe me fermerë të zonës, ku foli sërish per zhvillimin e fshatit.

“Ne kemi ndërtuar një Fond Kombëtar Garancie, që me paratë e shtetit shërben si mbështetje për fermerët që marrin në banka kredi, të cilat i garanton qeveria. Pra, lehtësojmë jashtëzakonisht raportin e fermerit me bankën dhe i japim mundësi fermerit të kreditohet me kushte shumë të favorshme. Duhet që banka të ketë një projekt, një aplikim serioz dhe bindës në mënyrë që të kreditojë fermerin apo grupin e fermerëve. Është një mundësi e jashtëzakonshme. Potencialisht mund të thithim deri në 300 milionë euro për ju nga bankat në tre vitet e ardhshme. Por nga ana tjetër kjo do të varet e gjitha nga puna që do të bëhet, sepse këto 300 milionë euro mund të thithen, por mund të mbetën aty, nëse ne nuk jemi aktivë me projekte dhe nëse ndërveprimi mes fermerëve, bashkisë dhe qeverisë nuk funksionon si duhet.”

Rama u ndal edhe në pikën turistike të Byshekut ku inspektoi punimet per rikonstruksioni e rrugës që do t’i shërbejë fermerëve të 9 fshatrave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *