Tuesday , December 6 2016

Rrëfimet prekëse, vajzat e aksidentit të Himarës, 4 vjet pas tragjedisë

Jeta e Elidona Gjinajt, Mirsie Bibës, Besjana Xhenetit dhe Eranda Bardhos është shenjuar nga aksidenti i 21 majit 2012.

Katër vajzat e mbijetuara treguan për herë të parë në “Pasdite në Top Channel” se si ka vazhduar jeta e tyre pas atij udhëtimi që përfundoi në tragjedi.

Elidona Gjinaj – 25-vjeçarja tregoi se rikthimi në universitet 6 muaj pas aksidentit ishte mjaft i vështirë. “Të gjitha trajtimet për riaftësimin i kam kryer jashtë, gjithçka me ndihmën e familjes. Në tetor u kthyem në universitet, ishte si një varrim pa kufoma”, rrëfeu Elidona në “Pasdite në Top Channel”. Në aksident ajo ka humbur shoqen e saj që ishte ulur pranë. “Ishim ulur në sedilje bashkë me Dorin. Nuk mund ta besoja atë që ndodhi më pas. E vizitoj mjaft shpesh familjen e Dorit dhe mbaj kontakte me ta për gjithçka”, tregon vajza nga Laçi. Pas aksidentit, Elidona thotë se është bërë me shumë fobi, aq sa për një kohë të gjatë nuk ka udhëtuar me autobus. Ende nuk ka krijuar një familje dhe thotë se trauma shpirtërore që la pas ai aksident nuk do t’i kalojë kurrë.

Mirsie Biba – E konsideron jetë të dytë atë që po bën pas 21 majit të vitit 2012. “Më kujtohet dita e aksidentit. Shoqja ime që humbi jetën në këtë tragjedi ishte ulur në të njëjtën sedilje me mua. Po flisnim për të kaluarën. Mbaj mend që ishte qetësi.” thotë Mirsia gjatë intervsitës në studion e “Pasdite në Top Channel”. Problemet fizike pas aksidentit ishin të shumta për vajzën nga Kavaja. Acidi i baterisë së autbousit ia dëmtoi të dy sytë dhe për një kohë të gjatë shikimi ishte i pamundur për të. Ndërkohë, një sfidë tjetër ishte ringritja në këmbë.

Besjana Xheneti – Është ndoshta vajza më fatkeqe e tragjedisë së 21 majit. Në këtë aksident ajo humbi të fejuarin, i cili kishte ardhur për ta shoqëruar në këtë udhëtim. “Është pengu im më i madh. I kërkova të vinte me mua. Fola me pedagogët dhe më lejuan që ta merrja”, tregon e përlotur Besjana. Me familjarët e të fejuarit mban kontakte dhe thotë se nuk e kanë bërë kurrë fajtore për atë që ndodhi, por mendon se jeta e saj do të jetë përherë jo e lumtur për shkak të kësaj ngjarjeje.

Eranda Bardho – Për shumë kohë pas aksidentit ka qëndruar në karrike me rrota. Në kohën kur ndodhi ngjarja ka qenë e fejuar, ndërkohë që sot është e martuar dhe ka një vajzë 3 vjeç. Është e vetmja e mbijetuar e aksidentit që ka krijuar një familje, megjithëse gjatë kohës së rekuperimit thotë se e ka vuajtur shumë faktin se njerëzit i kërkonin familjes së të fejuarit ta ndanin sepse ishte në karrike me rrota. “Mendoja se do ta merrja veten shumë shpejt dhe me kalimin e kohës do ishte më e lehtë, por jo. Çdo ditë bëhet edhe më e vështirë. Në familjen time 21 maji festohet edhe si rilindje, babi ma feston ditëlindjen dy herë”, thotë Eranda gjatë intervistës me Jonida Shehun. Tragjedia që u ndryshoi jetën nuk do të harrohet kurrë nga këto vajza. Megjithatë, ato nuk u dorëzuan, përfunduan studimet dhe sot të gjitha janë të diplomuara. Ato kërkojnë një punë në mënyrë që ta rindërtojnë jetën që thonë u është dhuruar për të dytën herë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *