Monday , December 5 2016
siguria-ne

Shqipëri-Izrael/ Siguria në maksimum, policia merr nën kontroll stadiumin dhe hotelin

Rreth 1000 forca policore do të jenë në gatishmëri për mbarëvajtjen e takimit Shqipëri-Izrael, që do të zhvillohet mbrëmjen e së shtunës në “Elbasan Arena”.

Stadiumi është marrë në dorëzim nga policia prej dy ditësh, ndërsa në hyrje të tij ushtrohen kontrolle ndaj çdo personi që shkel impiantin, qoftë edhe punëtorë apo punonjës të federatës.

Mësohet se inspektime të vazhdueshme në “Elbasan Arena” janë zhvilluar prej ditësh edhe nga një grup i huaj, i cili konfirmohet nga burime të policisë, se i përket shërbimeve inteligjente izraelite.

Nga ana tjetër policia ka marrë në ruajtje dhe hotelin ku do të qëndrojë ekipi kombëtar izraelit, i cili pritet të mbërrijë në aeroportin e Rinasit pasditen e kësaj të enjteje.

Shoqërimi dhe ruajtja e tyre i është ngarkuar forcave speciale RENEA, ndërsa në gatishmëri do të jenë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Ndërkohë, ditën e ndeshjes, mësohet se policia do të ngrejë një perimetër sigurie rreth stadiumit ku do të ushtrohen disa kontrolle për të mos lejuar futjen e fishekzjarrëve, banderolave dhe sendeve të tjera të paligjshme.

Pallatet pranë stadiumit priten të boshatisen gjatë zhvillimit të takimit, ndërsa të gjitha lokalet rreth tij do të mbyllen. Sipas burimeve nga policia niveli i masave të sigurisë për këtë ndeshje i kalon edhe ato të marra për ndeshjen ndaj Serbisë.

Në planin e masave është përfshirë edhe Shërbimi Informativ Kombëtar, ku shumë agjentë civil do të jenë në lëvizje para, gjatë dhe pas zhvillimit të takimit të vlefshëm për Eliminatoret e Botërorit Rusi 2018.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *