Saturday , December 10 2016
lindje

Shqipëri, rënie drastike e lindjeve

Dikur vendi i parë në Europë për numrin mesatar të lindjeve, me 7 fëmijë për një grua, aktualisht shifra ka zbritur drastikisht në 1.6. Ulja e lindshmërisë vjen si pasojë e tranzicionit politik e ekonomik në Shqipëri.

Nga Deutsche Welle

O. Sh, nënë e një fëmije 4 vjeç ka bërë vizitë tek gjinekologia në Spitalin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, ku ka arritur të planifikojë abort për foshnjën një muaj e gjysmë. E kam të pamundur të rris dhe një fëmijë të dytë, tregon ajo Deutsche Welle-n. “Me pëlqimin dhe të bashkëshortit do ta ndërpres shtatzaninë. Sapo kam marrë një pozicion të lartë në kompaninë celulare, ku punoj prej rreth katër viteve. Burri im drejton një biznes privat dhe thuajse gjithë ditën është në punë. E kemi të pamundur të rrisim dhe një fëmijë tjetër, megjithëse e dimë që kjo do të ishte shumë mire për vajzën tonë 4 vjeçare që vazhdimisht na kërkon dhe një motër o vëlla”.

Në ambientet e jashtme së Spitalit obsentrik-gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” Marta Hoxha është duke pritur nusen e djalit. Si gjyshe me 5 nipër e mbesa, Marta thotë se ardhja në jetë e fëmijëve është momenti më i gëzuar i jetës për prindërit. “Sot gjërat janë ndryshe, nënat e reja bëjnë llogari, duke dashur vetëm një fëmijë. Harrojnë se lindja i shërben dhe shëndetit të tyre dhe harmonisë në familje”, thotë ajo e emocionuar dhe e paduruar deri sa të ketë në shtëpi nipin e saj të sapolindur”.

Për lindshmërinë e fëmijëve ka opinione të ndryshme në Shqipëri, por ajo që pranohet nga të gjithë është fakti se numri i tyre ka ulje të dukshme nga viti në vit. Bazuar në statistikat zyrtare, nëse në vitin 1960 vendi ishte i pari në kontinent për numrin mesatar të lindjeve për një grua, që shkonte në 7. Por në vitin 2012 kjo kuotë u ul në 1.72 fëmijë për grua dhe aktualisht shifra ka arritur në 1.6. Duke ju referuar parashikimeve të statistikave, përllogaritet që në vitin 2028 në Shqipëri më shumë do të vdesin se sa do të lindin.

Është rritur mosha mesatare

Për ekspertët e demografisë reduktimi i numrit të lindjeve është shkaku kryesor për atë që thirret si “plakja e shoqërisë”. Këtë qasje graduale e konfirmojnë shifrat zyrtare të rritjes së moshës mesatare në vend. Nëse psh., në vitin 2001 mosha mesatare në vend ishte 26.6 vjeç, pas 10 viteve shifra shkoi në 32.5, nderkohë që vitin e kaluar mosha mesatare është 36.6 vjeç.

Profesori i sociologjisë Kosta Barjaba e shikon uljen e lindshmërisë të lidhur me tranzicionin politik dhe ekonomik në Shqipëri, ku në të njëjtën kohë po përjetohet edhe tranzicioni demografik. Sipas tij, ulja e lindshmërisë është një ndër aspektet më të dukshme të këtij tranzicioni. Duke shpjeguar arsyet kryesore prof. Barjaba përmend për Deutsche Welle-n atë që e përshkruan si stoku dhe flukset e larta migratore të shqiptarëve.

Vështirësitë ekonomike dhe mungesa e mbështetjes për familjet e reja

“Shqipëria ka aktualisht jashtë vendit rreth një të tretën e popullsisë ose një numër emigrantësh më të madh sesa forca e punës. Arsye tjetër është sepse kushtet e reja politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore sjellja shoqërore, riprodhuese dhe familjare e shqiptarëve ka ndryshuar, duke shkaktuar edhe një modifikim të pikëpamjeve të familjeve, sidomos çifteve të reja, ndaj numrit të fëmijëve. Vështirësitë ekonomike dhe mungesa e politikave e programeve specifike për mbështetjen e familjeve të reja, të cilat janë ‘furnizuesit’ kryesorë të lindshmërisë, përbën një shkak tjetër”.

[Albanien Land und Leute Rentner in Tirana (Mimoza Dhima)]

Pensionistë në Tiranë

Prof. Barjaba rendit dhe kufizimin e mbështetjes sociale për familjet mbi dhe përreth vijës së varfërisë dhe alokimin e kësaj mbështetjeje vetëm ose kryesisht për të varfërit, si pasojë e kalimit të politikave anti-varfëri nga ulja e varfërisë nëpërmjet mbështetjes në uljen e saj nëpërmjet rritjes e zhvillimit. Sipas tij te reduktimi i lindshmërisë kanë ndikuar dhe aplikimi i programeve të planifikimit familjar apo rritja e vrullshme e divorceve  dhe zgjatja relative, më shumë sesa në shoqëritë e tjera, e periudhës mes divorcit dhe rimartesës. Po a është kjo një dukuri normale duke pasur parasysh trendet globale? Profesori i sociologjisë mendon se me këto ritme të uljes së lindshmërisë, e cila ka shkaktuar uljen e popullsisë, Shqipëria ecën përkundër prirjes globale të shtimit të popullsisë.

“Gjatë vitit 2011, për shembull, popullsia e globit është rritur me rreth 1.1%. Kjo rritje globale është rezultat i rritjes në ekonomitë e mëdha në zhvillim, si Kina, India, Brazili dhe disa vende të tjera të mëdha të Azisë. Ndërkohë, ulja ose humbja e popullisë është në sintoni me zhvillimet demografike -uljen e popullsisë- në vendet e industrializuara perëndimore. Vendi ruan, megjithatë, një avantazh demografik sepse ulja e ritmeve të rritjes është më e ulët se në mjaft vende të rajonit”.

Pasojat e uljes së lindshmërisë

Gjykuar nga efektet kryesore që shkakton ulja e treguesit të lindshmërisë për prof Barjabën, në rradhë të parë rritet përqindja e grupmoshave mbi 65 vjeç dhe e grupmoshave 15-64 vjeç në piramidën e popullsisë. “Si pasoja të tjera mund të përmendim uljen e përqindjes së grupmoshës deri në 15 vjeç në këtë piramidë; rritje e numrit të pensionistëve, moshat mbi 65 vjeç, që rëndon skemën e pensioneve dhe programet e sistemit të mirëqenies; rritjen e popullsisë në moshën e punës, 15-64 vjeç, që bën presion mbi tregun e punës, i cili nuk i thith dot flukset e popullsisë që dëshirojnë të hyjnë në treg nga jashtë tregut dhe kjo shkakton rritjen e papunësisë; gjithashtu këto zhvillime imponojnë kufizimin e karakterit kontributiv të sistemit të mirëqenies dhe lindin nevojën e politikave të ekzagjeruara rishpërndarëse”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *