Friday , September 22 2017
Loading...

Shqipëri – Spanjë dhe… Beogradi

Shqipëria tanimë është një realitet në futbollin Europian dhe kjo jo vetëm për arritjen historike të pjesëmarrjes në “Francë 2016”, por për atë që po vazhdon të japë edhe pas këtij kompeticioni. E ndodhur në Grupin G të eleminatoreve të botërorit “Rusi 2018”, në një grup me kampionë bote si Italia dhe Spanja, shanset pothuajse për kualifikim janë afër zeros… të paktën në letër. Të njëjtat shanse që pati teorikisht edhe për eleminatoret e Europianit, por besimi, dëshira dhe grinta e lojtarëve në fushë dhe teknikut De Biazi në pankinë, bën që të realizohej një ëndërr e kahershme.

Tani situata duket e njëjtë si afro dy vite më parë, ku pas fitores në Portugali dhe barazimit me Danimarkën në “Elbasan Arena”, Shqipëria hodhi kandidaturën për të qenë një nga dy vendet e para në grup. Mirëpo, loja e mirë në Beograd, ndonëse u luajt vetëm 42 minuta, bëri që Shqipërinë të nisnin ta merrnin “seriozisht” dhe besimi në kampin kuq e zi u rrit ndjeshëm, duke bërë që rrugëtimi i vërtetë për në Francë të niste nga mbrëmja e 14 tetorit.

Fiks dy vite më pas nga ajo mbrëmje e errët në Beograd, Shqipëria ka sërish shansin të nisë rrugëtimin serioz për në Rusi, kësaj here me luksin për të luajtur në “Loro Boriçi” në prani të mijëra tifozëve kuq e zinj. Përballë, kësaj here nuk është Serbia, por janë “furitë e kuqe” të Spanjës, një nga skuadrat më të mira të botës, edhe pse Shqipëria ka luksin të përballet me ta si e para në grup. Nëse Shqipëria fiton ose ia del të marrë qoftë edhe një pikë, mund të thuhet pa frikë se Rusia nuk është më një destinacion i pamundur, por një realitet ndaj të cilit duhet të druhen kampionë bote si Italia dhe Spanja.

Nga Beogradi në Shkodër, nga Franca në Rusi, nga “Elbasan Arena” në “Loro Boriçi”, nga Perëndimi në Lindje, aktorët në fushë janë të njëjtë, ashtu si objektivat, ndryshon vetëm destinacioni. Shanset për të mos u mundur nga Spanja janë pothuajse zero, pak rëndësi ka kjo, sepse nuk është hera e parë që kemi kaq pak shanse, ashtu si në eleminatoret e kaluara. Rezistoni ndaj ish kampionëve të botës dhe ashtu si pas mbrëmjes së Beogradit, do t’ju marrin “seriozisht”!

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: