Monday , December 5 2016
policia-elbasan-arena

Shqipëria dhe siguria, aty ku futbolli kalon në plan të dytë.

Shqipëria ka dhënë prova se është e gatshme të organizojë një ndeshje futbolli brenda të gjithë normave Europiane, pavarësisht nga konteksti që kanë pasur disa sfida, sidomos në atë politik. Rasti më i fundit ku vendi ynë e kaloi “klasën” ka qenë pikërisht përballja ndaj Serbisë në “Elbasan Arena”, ku me masat që u morën nuk u krijua as incidenti më i vogël. Për disa ishin shumë ekstreme, pasi u “paralizua” një qytet i tërë vetëm për 90-të minuta. Atë sfidë kuq e zinjtë e De Biazit u mundën në fushë 0 me 2, por “fituan” në organizim, sepse ndeshja kaloi në plan të dytë.

Nesër në Elbasan luhet Shqipëri – Izrael, një ndeshje delikate përsa i përket ecurisë së kuqezinjve tanë, por edhe kundërshtarit, sepse janë skuadra të një niveli të barabartë dhe me synime të njëjta. Mirëpo, këto ditë askush nuk flet më për futboll, por për masat që do të merren për mbarëvajtjen e ndeshjes. Sërish rezultati në fushë po kalon në plan të dytë, duke ia lënë “stafetën” sigurisë. Të tjera masa ekstreme, madje më të mëdha sesa ndaj Serbisë po merren për këtë sfidë. Mos vallë po krijohet e njëjta situatë si para një viti dhe në fund Kombëtarja mund të dalë e “gëzuar” nëse humbet në fushë, me çmimin për të dalë e fituar në organizim? Me shumë gjasa po.

Për fat të keq, sa herë që në vendin tonë do të luhen takime të rëndësishme, ky shtet (Shqipëria) edhe ky qytet (Elbasani), do të ketë në plan të parë vetëm sigurinë dhe jo rezultatin në fushë. Në fund të fundit futbolli luhet në fushë dhe aty duhet fitorja e vërtetë, por mesa duket nuk mjaftojnë as provat e organizimeve në ndeshjet e kaluara, që për një herë të vetme 90-të minutat e lojës të kalojnë në plan të parë. Megjithatë, urojmë që Shqipëria të japë leksione, si përsa i përket organizimit dhe sigurisë, por edhe në fushë, aty ku loja dhe rezultati duhet të dalë patjetër në plan të parë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *