Sunday , August 19 2018
Loading...

Shtohen 45 linja transporti/ Ja linja më e re që i shtohet Elbasanit

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar, ditën e sotme, shtimin e 45 linjave të reja për transportin ndërqytetës të pasagjerëve.

Këtu janë të gjithë itineraret e rinj.

Për nisjet nga kryeqyteti janë shtuar 9 linja të reja, që do të bëjnë transport udhëtarësh drejt Maliqit, Konispolit, Memaliajt, Roskovecit, Patosit apo Dropullit. Për Qarkun e Tiranës është shtuar edhe linja Tiranë-Vorë-Tiranë, si dhe 2 linja nga Kamza drejt Gramshit dhe qytetit të Pogradecit.

Për Bashkinë Durrës do të operojnë 2 linja të reja: Durrës-Golem-Durrës dhe Golem-Durrës-Golem. Ndërkohë që, linja të reja janë edhe Elbasan-Shkodër-Elbasan apo Përmet-Durrës-Përmet.

Ndërkaq, udhëzimi i ri saktëson se transporti në linjat kryesore, por edhe ato ushqyese duhet të kryhen pa ndalime për hipjen apo zbritjen e udhëtarëve gjatë itinerarit të linjës.

Përfaqësues të ministrisë thonë se shtimi i linjave është i domosdoshëm për shkak të kërkesave dhe nevojave të udhëtarëve.

Ndërkohë Shoqata e Transportit Kombëtar Interurban kundërshtoi përpjekjen për shtimin e këtyre linjave, pasi sipas saj nuk u bashkëpunua më parë me të për të parë nëse këto linja janë realisht të nevojshme apo jo.