Friday , August 18 2017

Skocia do të tentojë një referendum të dytë pavarësie

Paralajmërimet i lënë vendin konfirmimit. Nicola Sturgeon njoftoi këtë të hënë se do të kërkojë të marrë miratimin për të zhvilluar një referendum të dytë mbi pavarësinë e Skocisë nga Mbretëria e Bashkuar. Ajo u shpreh se dëshironte që votimi të zhvillohej mes vjeshtës së vitit 2018 dhe pranverës së 2019-s.

Kryeministrja skoceze tha se kjo lëvizje ishte e nevojshme për të mbrojtur interesat e Skocisë, pas votës së Britanisë për t’u shkëputur nga BE-ja. Por kur do ta bëjë hapin e parë për ripërsëritjen e referendumit për të njëjtën çështje? Sturgeon tha se do t’i kërkonte javën e ardhshme Parlamentit skocez aktivizimin e nenit 30 nga “Westminster”.

Urdhri do të ishte i nevojshëm për të lejuar mbajtjen e një referendumi të ri, këtë herë detyrues nga ana ligjore për t’u zbatuar, për pavarësinë nga mbretëria.

Kryeministrja britanike, Theresa May i është shmangur deri më tani përgjigjes nëse do t’ia japë lejen apo jo homologes së saj skoceze. Megjithatë, zëdhënësi i saj zyrtar iu përgjigj njoftimit të Sturgeon, duke thënë se provat “tregojnë qartazi se shumica e popullit skocez nuk dëshiron një referendum të dytë mbi pavarësinë”.

“Vetëm pak më shumë se dy vite më parë, njerëzit në Skoci votuan bindshëm për të qëndruar pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, në një referendum që qeveria skoceze e përshkroi si tejet të rrallë për një gjeneratë. Një tjetër referendum do të ishte përçarës dhe do të shkaktonte shumë paqartësi ekonomike, pikërisht në periudhën më të keqe të mundshme”.

Megjithatë, duke folur nga rezidenca e saj “Bute House” në Edinburg, Sturgeon tha se popullit të Skocisë duhet t’i ofrohet një zgjidhje mes një “Brexit”-i të vështirë apo të qenit një vend i pavarur.

Qeveria skoceze ka publikuar propozimet, që sipas saj do t’i lejonin Skocisë të mbetej anëtare e tregut të përbashkët europian, edhe nëse pjesa tjetër e Britanisë do të dilte prej saj, gjë që e ka konfirmuar edhe May.

Sipas kryeministres skoceze, qeveria britanike “nuk ka lëvizur as edhe një cm në gjetjen e një kompromisi dhe marrëveshjeje” që prej referendumit për “Brexit”, gjatë të cilit në fakt skocezët votuan 62% pro qëndrimit dhe vetëm 38% pro daljes nga BE-ja, ndërsa Britania si e tërë votoi me 52% të votave në favor të shkëputjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: